Sergey Lavrov | Foto: Facebook

Ministri i Jashtëm rus i jep Ukrainës ultimatum për katër rajonet e pushtuara

Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov ka deklaruar të hënën se Ukraina duhet t’i përmbushë propozimet e Moskës në lidhje me “territoret e reja” të saj – ose ushtria ruse do të ndërmarrë veprime, sipas agjencisë shtetërore ruse të lajmeve TASS.

“Armiku është i vetëdijshëm për propozimet tona për çmilitarizimin dhe denazifikimin e territoreve të kontrolluara nga regjimi dhe eliminimin e kërcënimeve ndaj sigurisë ruse prej andej, duke përfshirë territoret tona të reja (Luhansk, Donetsk, Zaporizhzhia dhe Kherson)”, deklaroi Lavrov i duke përsëritur akuzat e rreme të nazizmit kundër Ukrainës, të përdorura nga Moska në një përpjekje për ta justifikuar pushtimin e saj.

Sipas Lavrov, ka mbetur vetëm një gjë për të bërë dhe kjo është përmbushja e kushteve tona para se të jetë tepër vonë dhe se sa i përket kohëzgjatjes së konfliktit, topi është tani në fushën e Uashingtonit dhe regjimit të tij. Ata mund ta ndalin këtë rezistencë të kotë në çdo moment.

Mirëpo Rusia ka hasur në pengesa të mëdha në këto zona që nga fillimi i luftës – forcat e Moskës nuk janë në kontroll të plotë të territoreve kur ato u konsideruan si pjesë e Federatës Ruse pas referendumeve të mbajtura atje.

Vetëm disa javë pasi e aneksoi ilegalisht Khersonin, Ukraina rimori kryeqytetin e saj rajonal me të njëjtin emër, duke çliruar rreth 10,000 kilometra katrorë tokë dhe duke lëvizur artilerinë e saj të furnizuar nga perëndimi brenda rrezes së Krimesë.

Javën e kaluar, presidenti rus Vladimir Putin pranoi se situata në katër territoret e pushtuara është “jashtëzakonisht e ndërlikuar”./CNN

Përgatiti: Nuhi Shala