Borxhi ndaj KOSTT, komunave në veri u kërkohet të kontribuojnë nga buxheti

Ministri i Financave Hekuran Murati në mbledhjen Qeverisë bëri të ditur se komunave me shumicë serbe në veri të vendit u është kërkuar të deklarojnë buxhetin e tyre si kursim në mënyrë që të kontribuojnë në një pjesë të shlyerjes së borxhit për energjinë elektrike.

Murati theksoi se KOSTT ka bërë kërkesë për mbështetje dhe rrezikohet nga ndëshkimet si shkak i devijimeve që vijnë nga mos pagesa e komunave në veri.

“Nga KOSTT këtë vit kemi pranuar disa kërkesa për mbështetje financiare dhe e fundit është para dy ditësh për shkak se ndërmarrja ka problem me likuiditet dhe rrezikohet nga ndëshkimet si rezultat i devijimeve të energjisë elektrike në rrjetin Europian të Transmisionit, devijime këto që vijnë për shkak të katër komunave në veri” – tha Murati.

“Në mënyrë që të paguhet një pjesë e këtyre borxheve kemi kërkuar nga katër komunat që të deklarojnë buxhetin e tyre si kursim, përfshirë edhe fondin zhvillimor të mirëbesimit që tashmë është alokuar në këto komuna dhe mjetet do të përdoren për të shlyer një pjesë borxhi ndaj KOSTT” – shtoi tutje Murati.

Kontributi i secilës komunës në shlyerjen e një pjese të borxhit, sipas ministrit është si në vijim: 6.5 milionë euro Mitrovicë e Veriut,  1.1 milion euro Zveçan, 1.6 milion euro Zubin Potoku dhe 2.6 milion euro Leoposaviq.

“Si qeveri kemi thënë që rryma nga këto komuna duhet të paguhet dhe pavarësisht devijimeve do të konsiderohet borxh. Është më se e arsyeshme që barra për pagesë të borxhit të ju takojë atyre qytetarëve”- shtoi tutje Hekuran Murati.