Borrell sot takohet ndaras me Kurtin dhe Vuçiqin në Paris

Përfaqësuesi i lartë për politikë të jashtme dhe siguri i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, sot do të zhvillojë takime të ndara me kryeministrin  e Kosovës, Albin Kurtin dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Këto takime Borrell takimet do t’i zhvilloj në Paris në kuadër të Forumit për Paqe.

Kështu ka njoftuar dje në Twitter, Petar Stano, zëdhënës i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri.

“Kosovë/Serbi: Të vazhdojë Bashkimi Evropian përpjekjet për të ndihmuar Serbinë dhe Kosovën  për të de-përshkallëzuar, për të zbutur tensionet aktuale dhe për të avancuar në dialogun e lehtësuar nga BE, Josep Borrell do të takohen me Albin Kurtin dhe Aleksandar Vuçiq nesër në Paris në takime të ndara”, ka shkruar ai.

Një takim të mundshëm me presidentin serb e ka paralajmëruar kryeministri, Albin Kurti përmes një video, para udhëtimit të tij në Paris.

“Jam i gatshëm sepse i përgatitur, dhe gjithnjë i interesuar, për dialog për marrëveshje, për normalizim të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë, me njohjen reciproke në qendër. I kemi dy propozime në tavolinë: ai imi për kornizën e përgjithshme të marrëveshjes i prezantuar në takimin e 18 gushtit 2022 në Bruksel, si dhe propozimi franko-gjerman që ka mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, i prezantuar nga emisarët Jens Plötner dhe Emmanuel Bonne. Dialogu parimor me të tjerët, sundimi i ligjit njësoj për të gjithë, dhe, paqja e siguria në tërë territorin, shkojnë bashkë” – ka thënë kryeministri Kurti.

Shkuarjen në Paris e ka konfirmuar edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Në Forumin për Paqe në Paris, bashkë me kryeministrin Kurti po merr pjesë edhe presidentja e Kosovës Vjosa Osmani.

Dje, në Pallatin Elysée, Osmani dhe Kurti janë pritur nga presidenti i Frencës, Emmanuel Macron.

Osmani në një postim tha se bashkë me Macron kanë diskutuar për partneritetin mes dy shteteve, dinamizimin e dialogut me Serbinë si dhe zhvillimet e fundit në Kosovë.

Ndërsa, temë diskutimi mes Kurtit, Osmanit e Macron kanë qenë zhvillimet e fundit mes Kosovës dhe Serbisë.

Kryeministri ka theksuar se Kosova ka propozuar kornizën e përgjithshme të marrëveshjes, ndërsa propozimi franko-gjerman do të shërbejë si bazë e mirë për diskutime të mëtejshme.

Edicioni i pestë i Forumit të Paqes në Paris do të mbledhë liderë nga mbarë bota, si dhe përfaqësues të lartë të organizatave ndërkombëtare, bizneseve, bankave zhvillimore për të diskutuar eliminimin e krizave të shumëfishta globale, duke promovuar forcimin e bashkëpunimit dhe multilateralizmit.