Borrell: Shtetet anëtare të BE-së të gatshme të marrin masa ndaj Kosovës dhe Serbisë nëse nuk ka progres

Përfaqësuesi i Lartë i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, është deklaruar para mediave pas takimit me ministrat e jashtëm të shteteve anëtare të BE-së.

Borrell thotë se shtetet anëtare të BE-së do të marrin masa ndaj Kosovës dhe Serbisë nëse nuk shtensiohet situata.

“Shtetet anëtare janë të gatshme të marrin masa të mëtutjeshme nëse nuk shihet progres. Ata kanë thënë se nga shtetet që aspirojnë të jenë pjesë e BE-së presim sjellje evropiane. Në ditët në vijim do të vazhdojmë kontaktin me dyja palët. Por, shtetet anëtare janë të gatshme të jenë aktive e të na përkrahin në punën tonë”- ka deklaruar Borrell.

“Masat do të shohim, ato janë politike dhe financiare. Shtetet anëtare mund të konsiderojnë masat politikë për të limituar kontaktet politike, e po ashtu masat financiare, varësisht nga sjellja e tyre”- shtoi ai.

Ai tha se shtetet anëtare kanë cekur rëndësinë që palët të shtensionojnë situatën në veri teksa ka theksuar se kanë mirëpritur lirimin e tre policëve të Kosovës.

“Shtetet anëtare kanë theksuar shqetësimet për tensionet në vazhdim në veri të Kosovës dhe kanë cekur rëndësinë që palët të shtensionojnë situatën, e të bëhet në përputhje me deklaratën e shteteve anëtare të bërë më 3 qershor. Mirëpresim lirimin e tre policëve të Kosovës që janë mbajtur në Beograd. Shtetet anëtare do të marrin masa nëse duhet, për ta rritur levën e BE-së e për ta përkrahur dialogun për normalizim”- deklaroi Borrell.

Shefi i diplomacisë së BE-së, gjithashtu tha se hapat e ardhëm për shtensionim mbeten zgjedhjet e reja në veri.

“Hapat e ardhshëm janë thirrja për zgjedhjet e reja. Ne pajtohemi që zgjedhjet duhet të mbahen, pajtohemi se nuk mund të kemi kryetarë në zyra që mbrohen përgjithmonë nga forcat e NATO-s dhe me kryetar me tre për qind të votave. Nuk është një zgjedhje e qëndrueshme. Ata duhet të zëvendësohen nëpërmjet zgjedhje të reja. Kjo është ajo se çka duhet të bëjnë të dyja palët, por duhet pjesëmarrja e serbëve, përndryshe do të kemi situatë të njëjtë”- ka theksuar Borrell.

Tensionet në veri të Kosovës nisën më 26 maj, kur kryetarët e rinj shqiptarë të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut, hynë në ndërtesat komunale me asistimin e Policisë.

Për të kundërshtuar këtë, serbët kanë mbajtur protesta.

Ndërkaq sot, tre policët e Kosovës që po mbaheshin në paraburgim tash e 12 ditë në Kralevë të Serbisë sot janë liruar.

Lirimi i tyre iu kërkua prapë më 22 qershor presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, gjatë takimit bilateral që ai pati me ndërmjetësuesit e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi.