Borrell mirëpret miratimin e Deklaratës për personat e zhdukur

Shefi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, ka deklaruar se e mirëpret arritjen e marrëveshjes përmes të cilës Kosova dhe Serbia njohin çështjen e personave të zhdukur si një çështje humanitare.

Borrell ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, kanë pranuar punën e rëndësishme të bërë nga grupi punues për personat e zhdukur, i kryesuar nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq.

“Ata kanë pranuar punën e rëndësishme të bërë përmes grupit punues për personat e zhdukur, i kryesuar nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (KNKK). Si shenjë e vendosmërisë së tyre të përbashkët për të siguruar zbatimin e plotë të angazhimeve të tyre përkatëse në fushën e personave të zhdukur, ata kanë miratuar Deklaratën për personat e zhdukur”- thuhet në deklaratën e Borrell.

Sipas Josep Borrell, zgjidhja e çështjes së personave të zhdukur nuk është vetëm një detyrim humanitar, por siç thotë ai është edhe një mundësi për pajtimin dhe besimin mes njerëzve.

“Zgjidhja e çështjes së personave të zhdukur nuk është vetëm një detyrim humanitar. Ai është gjithashtu një mundësi thelbësore për pajtimin dhe besimin mes njerëzve. Është bërë urgjente të sigurohet që procesi i identifikimit të vendeve të varrimit të përfundojë sa më shpejt të jetë e mundur. Kujtimet po zbehen dhe individët, vendet dhe ngjarjet janë më të vështira për t’u hetuar”- është shprehur Borrell.

Shefi i Politikës së Jashtme të BE-së theksoi se e mirëpret miratimin e kësaj Deklarate, teksa shton se pret që palët të bëjnë përparim të prekshëm në mbylljen e rasteve të pazgjidhura të personave të zhdukur.

“Kjo është arsyeja pse BE-ja mirëpret miratimin e deklaratës nga palët dhe pret që palët të bëjnë përparim të prekshëm në mbylljen e rasteve të pazgjidhura të personave të zhdukur dhe në përmbushjen e detyrimeve të tyre përkatëse ndaj familjeve. Komiteti i Përbashkët i Monitorimit i kryesuar nga BE-ja që mbikëqyr zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe Aneksit të Zbatimit të saj do të shqyrtojë rregullisht progresin e arritur”- ka thënë Borrell.

“Nga 6.065 rastet e personave të zhdukur në periudhën 1 janar 1998 – 31 dhjetor 2000, 1.621 mbeten të pazgjidhura. Më shumë se njëzet vjet më vonë, familjet e tyre vazhdojnë të jetojnë në pikëllim, pa pasur dijeni për vendndodhjen e të dashurve të tyre. Familjet kanë të drejtë të dinë fatin e të afërmve të tyre ashtu si shoqëria në përgjithësi”- tha mes tjerash ai.

Këtu mund të gjeni Deklaratën e plotë të Borrell.

Pika e dytë e rendit të ditës pritet të jetë diskutimi mbi draft-statutin e parë të Asociacionit, i cili është përpiluar nga ekipi menaxhues.

I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Mirosllav Lajçak, pak para takimit të nivelit të lartë mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se statuti i Asociacionit duhet të jetë i pranueshëm nga të dyja palët dhe në përputhje me standardet evropiane.

Kurti dhe Vuçiq u takuan për herë të fundit në Ohër, më 18 mars, kur edhe u dakorduar për zbatimin e asaj që njihet si Marrëveshje Bazë, e që duhet të çojë drejt normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.

Kjo marrëveshje, e njohur më herët edhe si propozimi evropian, kërkon nga të dyja palët që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, i cili ka nisur qysh nga viti 2011.

Ajo nuk parasheh njohje të ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë, por kërkon prej tyre që të mos e pengojnë njëra-tjetrën në proceset integruese.