Bislimi: Qeveria do të dalë me 10 masa për fazën kalimtare të zbatimit të Rregullores së BQK-së

Qendra për Dialog Humanitar ka mbajtur sot, më 21.02.2024, tryezë diskutimi me temën “Zhvillimi ekonomik për serbët në Kosovë”.

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka deklaruar se në hapat e Qeverisë për zhvillimin ekonomik përfshihet edhe komuniteti serb.

Bislimi tregoi se javën e kaluar kanë vizituar komunat në veri të vendit, ku është prezantuar platforma e re për krijim të vendeve të punës.

“Kemi pasur vizitën në javën e kaluar në veri të vendit, ku është prezantuar platforma e re për krijim të vendeve të punës. Kjo është pritur jashtëzakonisht mirë në atë pjesë, nëse shohim se ka gatishmëri për më shumë vende të punës, masa mund të zgjerohet edhe në numra më të mëdhenj dhe të shkohet edhe në komunat e tjera me shumicë serbe në Kosovë”- tha Bislimi.

“Formalizmi nënkupton që edhe transaksionet duhet të regjistrohen të gjitha sepse vetëm kështu sigurohet barazia. Të gjitha programet e Qeverisë kanë synuar rishpërndarje të të ardhurave te kategoritë e shoqërisë që kanë më shumë tendencë për të shfrytëzuar e konsumuar prodhime vendore. Si dhe kemi mbështetjen direkte të projekteve infrastrukturore, lokale dhe rajonale, që kanë synim përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe zhvillimin e bizneseve”- ka shpjeguar ai.

Zëvendëskryeministri tha se janë në fazë të ideimit të projekteve më të mëdha infrastrukturore në komunat Zveçan dhe Leposaviq, që sipas Bislimit, kanë potencial për zhvillim të energjisë së ripërtërishme.

“Është po ashtu Fondi i mirëbesimit. Jemi në fazë të ideimit të projekteve më të mëdha infrastrukturore, komuna e Zveçanit dhe Leposaviqit kanë potencial për zhvillim të energjisë së ripërtërishme. Matjet tregojnë se ka potencial të madh. Po ashtu kemi një program në bashkëpunim me BE-në që do shtynte bashkëpunim më të madh të ndërmarrjeve në komunat me shumicë serbe dhe pesën tjetër të komunave në vend”- është shprehur Bislimi.

Teksa ka folur për Rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës, Bislimi ka thënë se e njëjta ka në fokus kryesor rritjen e sigurisë së sistemit bankar dhe sigurisë së pagesave.

Ai tha se Rregullorja gjithashtu ka të bëjë me mbrojtjen e konsumatorëve nga monedha false që vijnë nga vendet fqinje.

“Rregullorja e BQK e ka fokus kryesor rritjen e sigurisë së sistemit bankar dhe sigurisë së pagesave që ka qenë i sulmuar nga një proporcion i shfrytëzimit të madh të monedhës 500-euroshe. Për pak javë BQK ka hequr nga qarkullimi mbi 160 mijë monedha 500-euorshe. Pastaj ka të bëjë në mbrojtjen e konsumatorëve nga monedha false që vijnë nga vendet fqinje. Dhe e treta ka të bëjë me importin dhe eksportin e monedhave në përgjithësi, përfshirë edhe dinarin për të cilat duhet të vendoset një ligjshëmri. Kjo është edhe kërkesë e Procesit të Berlinit”- theksoi Bislimi.

Bislimi njoftoi se Qeveria do të publikojë një listë prej dhjetë masave për zbatimin e Rregullores së BQK-së.

“Qeveria e Republikës së Kosovës do të dalë me një listë prej dhjetë masave që ne do të tregojmë se si të kujdesemi që qytetarët të mos dëmtohen në këtë fazë kalimtare, por fazë e cila do të garantonte pastaj zbatimin në plotni të formalizimit të sistemit të pagesave”- tha mes tjerash zëvendëskryeministri.

Gordana Doriq, drejtoreshë e organizatës “Avenja”, tha se gjendja ekonomike në komunitetin serb është kaotike dhe sipas saj kushtet duhet t’i krijojë Qeveria.

“Gjendja ekonomike në komuniteitn serb është kaotike. Kushtet duhet t’i krijojë Qeveria. Këto tregime që u folën janë të bukura por nuk kanë për të dhënë ndonjë efekt më të madh që të ndodhë zhvillim ekonomik në mjediset serbe sepse duhet të keni besim në institucione e sundim të ligjit që do përmirësonin besimin te ky komunitet. Në këto 23 vite nuk e kemi ndjerë këtë, madje hapat e kësaj Qeverie janë të tmerrshëm, ata po shtyjnë largimin e serbëve prej këtu e jo t’i zhvillojë ekonomikisht”- tha ajo.

Doriq thotë se Qeveria merr vendime ad-hoc që ndikojnë direkt në ekonominë e komunitetit serb, duke përmendur ndalimin e importit nga Serbia.

“Për mua është e çuditshme që Qeveria merr vendime ad hoc qe ndikon direkt ne ekonominë e këtij komuniteti. P.sh. ndalimi i importit nga Serbia, kur dihet se shumë prodhues lëndën e parë e marrin prej atje. Pra, kemi edhe uzurpime të pronave, shpronësimet, kjo nuk krijon besim tek etnia jonë”- tha ajo.

“Nuk flitet për incidentet ndëretnike në këto 2 vite, nga sulmet drejt fëmijeve deri te dëmtimi i varrezave, arrestime të njerëzve. Akuzohen për krime lufta pa prova, me disa dëshmitarë të korruptuar. Aktevendimet e gjykatave nuk implementohen, jo vetëm për rastin e Manastirit të Deçanit, por edhe shumë tjera. Zgjatja e proceseve gjyqësore me vite sa i përket kontesteve pronësore. Kjo pengon zhvillimin ekonomik”- theksoi Doriq.

Kurse, Nenad Radosavleviq, drejtor i RTV Mir, ka fajësuar Qeverinë për largimin e serbëve nga institucionet.

“Për vitin e kaluar të gjithë e dimë se kush është fajtor, pse serbët janë larguar nga institucionet. Serbët nuk kanë dalë në zgjedhje dhe kanë krijuar një problem, Këtë problem dikush është dashur ta shqyrtonte, ta zbuste e kjo nuk ndodhi, këtu është faji i Qeverisë ekzistuese. Ata e kanë ditur se Komuna e Leposaviqit nuk ka njerëz që do merreshin me zbatim buxheti, më pas kanë punësuar persona që nuk janë të aftë për tenderë e procese të ndryshme”- ka deklaruar Radosavleviq.

“Qeveria ka bërë që këto komuna te mbeten pa buxhet sepse në fund të vitit e ka marrë dhe e ka shpërndarë në komunat e tjera.  Qeveria këtu nuk ka ndihmuar ekonomikisht. Konkurset janë shpallur me vonesë, përgjegjësia prapë është e Qeverisë”- theksoi ai.

Ndryshe, më 01.02.2024, hyri në fuqi Rregullorja e BQK-së, e cila përcakton se euroja është valuta e vetme për pagesat me para të gatshme në Kosovë dhe për transaksionet e pagesave.

Me këtë Rregullore është ndaluar edhe dinari serb, i cili deri më tash ka qarkulluar në mjediset me shumicë serbe në Kosovë, sepse qytetarët serbë, në këtë valutë, kanë pranuar pagesa të ndryshme nga buxheti i Serbisë: rroga, pensione, ndihmë sociale, shtesa për fëmijë e të tjera.

Kundër vendimit të BQK-së ka dalë SHBA-ja, ambasadori i së cilës në Kosovë, Jeff Hovenier, ka kërkuar që zbatimi i Rregullores të shtyhet.
 
www.kallxo.com