Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, Foto: ZKM

Bislimi: Kontrata KEDS-Elektrosever, hap tutje në normalizim të faturimit dhe furnizimit me rrymë në veri

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi ka deklaruar se nënshkrimi i kontratës mes kompanisë për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS) dhe kompanisë energjetike të Serbisë, Elektrosever është bërë hap tutje në normalizim të faturimit dhe furnizimit me energji në katër komunat në veri të Kosovës.

Sipas tij, operimi edhe në veri, do të ndodhë brenda kornizës ligjore e rregullative të Republikës së Kosovës.

“Me nënshkrimin e kontratës komerciale ndërmjet KEDS-it dhe Elektrosever, sipas pikës 3 të Udhërrëfyesit për Marrëveshjen e Energjisë, u bë një hap tutje drejt normalizimit të furnizimit me energji dhe faturimit në katër komunat në veriun e Kosovës.  Më shumë se 1 vit pas dakordimit mbi udhërrëfyesin e pasiqë pala jonë i përmbushi menjëherë obligimet e saj që derivojnë nga marrëveshja, Elektrosever pranoi ta nënshkruajë kontratën. Operimi edhe në veri, do të ndodhë brenda kornizës ligjore e rregullative të Republikës së Kosovës, ashtu siç në të gjithë territorin e vendit tonë”- është shprehur Bislimi në një shkrim në rrejtin Facebook.

Tutje, ai theksoi se tani duhet të ecet edhe me hapat e tjerë të nevojshëm “për t’i dhënë fund pas më shumë se 20 vitesh, ilegalitetit në mospagesë të rrymës”.

“Kosova vazhdimisht ka luajtur një rol konstruktiv dhe ka zbatuar të gjitha detyrimet e saj, andaj dhe presim e kërkojmë të njëjtën gjë nga pala tjetër, për ta përfunduar këtë process”- shtoi tutje Bislimi.

Elektrosever është pronë e kompanisë energjetike të Serbisë EPS (Elektroprivreda Srbije). Ajo e mori licencën për operim nga Zyra e Rregullatorit për Energji e Kosovës (ZRRE) më 24 qershor.

Më 21 qershor, Kosova dhe Serbia e nënshkruan udhërrëfyesin për zbatimin e Marrëveshjes për Energji, që ishte arritur më 2013 në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja.

Me këtë marrëveshje synohet të rregullohet çështja e furnizimit dhe faturimit të energjisë elektrike për katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe.