Bislimi: Nga 1 janari 2024 pasaporta e Kosovës do të jetë shumëfish me e fuqishme

Zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi teksa ka folur për gjetjet e raportit të Komisonit Evropian për Kosovën për vitin 2023, ka theksuar liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Ai ka thënë se nga 1 janari i vitit të ardhshëm për shkak të këtij vendimi, pasaporta e Kosovës do të jetë shumëfish më e fuqishme.

“Nga 1 janari i 2024 paraporta e Kosovës do të jetë shumëfish me e fuqishme pasi do të hyjë në fuqi vendimi BE-s për liberalizimin e vizave. Kjo arritje përveç se meritë e kamotshme e qytetarëve tanë është edhe rezultat i ligjshmërisë, reformave, praktikave jo korruptive e qeverisjes së mirë e në imazh të lartësuar”- ka thënë ai.

Bislimi ka thënë se Kosova beson në të ardhmen evropiane dhe duhet t’i jepet mundësia që ta dëshmojë.

Ai ka thënë se janë bërë hapa për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

“Ne e përkrahim pakon për zgjerimin e Ballkanit Perëndimor në BE. Nuk duhet të ketë fonde e përfitime pa i përqafuar vlerat e BE-së. Ne besojmë se masat në fuqi kanë pasur efekt në raport. Është e rëndësishme që BE-ja t’i heq këto masa”- ka thënë ai.

Sipas tij, Raporti e përgëzon Kosovë për politikën e jashtme për vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë.

“Kosova është lavdëruar edhe për bashkëpunimin rajonal. Kërkohet angazhim për efektivitetin afatgjatë të marrëveshjeve dhe palëve në këtë proces. Kosova merr pjesë në të gjitha nismat rajonale”- ka thënë ai.

Kuvendi i Kosovës me kërkesë të opozitës po mban sot debat lidhur me gjetjet e Raportit të Komisionit Evropian për Kosovën, për vitin 2023.

Vendimi për liberalizimin e vizave ka marrë miratimin në të gjitha instancat e Bashkimit Evropian dhe është nënshkruar më 19 prill 2023 nga presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola dhe nga ministrja e Suedisë, Jessika Roswall, e cila e përfaqëson Këshillin e Bashkimit Evropian.

Më 25 prill 2023, në gazetën zyrtare të Bashkimit Evropian është publikuar rregullorja 2023/850 për liberalizimin e vizave për Kosovën. Sipas nenit 2 të kësaj rregulloreje, ajo hyn në fuqi në ditën e 20-të pas publikimit në gazetë zyrtare, që i bie më 15 maj 2023.