Miroslav Lajcak dhe Besnik Bislimi/ FOTO: Miroslav Lajcak- Twitter

Bislimi në Bruksel, do të takohet me Lajçakun

Kryenegociatori i Kosovës për dialog me Serbinë, Besnik Bislimi pritet të takohet sot me të dërguarin e  Posaçëm të Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com, Klisman Kadiu, këshilltar i zëvendëskryeministrit Bislimi, pa dhënë detaje tjera.

Ditë më parë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i cili po qëndronte në Berlin në kuadër të Samitit të Berlinit për Ballkanin Perëndimor, u takua me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Josep Borrell dhe me Lajçakun.

Sipas një njoftimi nga Qeveria, Kurti kishte informuar Borrellin dhe Lajçakun për zbatimin e vendimit për targat.

“Në lidhje me zbatimin e vendimit për targat ilegale, kryeministri Kurti tha se nëpërmjet sekuencimit në tri etapa dhe shkallë, Qeveria e Republikës së Kosovës ka treguar vendosmërinë për sundimin e ligjit dhe përkushtimin në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në vend. Ndërkaq bëri thirrje që dëmtimi dhe djegia e veturave me targa RKS në veri të vendit të dënohet nga të gjithë” – thuhet në komunikatë.

Tensionet midis Kosovës dhe Serbisë aktualisht janë të larta, për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës për të nisur procesin e riregjistrimit të makinave me targa të paligjshme serbe.

Këto makina, rreth 9.000 sosh, qarkullojnë kryesisht në veri të Kosovës, ku popullata shumicë është serbe dhe kontrollohet në masë të madhe nga Beogradi zyrtar.

Si pasojë e tensioneve të rritura, serbët e veriut i kanë braktisur institucionet e Kosovës.

Në një konferencë për media dje, Borrell tha se “mund të them që jemi duke u përballur me krizën më serioze në dhjetë vjetët e fundit dhe të dyja palët duhet që urgjentisht të tregojnë gatishmëri për uljen e tensioneve”.

Ai tha se 21 nëntori nuk duhet t’i gjejë Kosovën dhe Serbinë pa një marrëveshje për targat, ose siç tha, “do të kemi situatë të rrezikshme”.

Borrell tha se kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, do të jetë në Bruksel sonte për të biseduar për çështjen e targave dhe çështje tjera. Ai tha se po ashtu pritet të ketë bisedime edhe me kryenegociatorin serb, Petar Petkoviq.

“Do të nisim takime me kryenegociatorët. Pala kosovare po vjen sonte, jam i gatshëm të bisedojë me liderët, nëse negociatorët arrijnë te një zgjidhje praktike te çështja e targave dhe atë para 21 nëntorit, që është afati i fundit”- tha ai.

Borrell tha dje se i ka dorëzuar Kosovës dhe Serbisë një propozim për zgjidhjen e krizës aktuale.