Biden: Ukraina 'nuk është gati' për t'u anëtarësuar në NATO

Presidenti amerikan, Joe Biden ka thënë se Ukraina “nuk është gati” për anëtarësim në NATO, përpara një samiti dy-ditor të liderëve të aleancës ushtarake në Vilnius.

Duke folur për CNN, presidenti i SHBA-së ka thënë se NATO-s i duhet të “përcaktojë një rrugë racionale” që Kievi ta ndekë në mënyrë që të bashkohet me bllokun e NATO-s, por se do të duhet kohë përpara se Ukraina t’i përmbushte “të gjitha kualifikimet, nga demokratizimi në një gamë të tërë të çështjeve të tjera”.

Ndërkohë, zhvillimet tjera në dhe rreth luftës në Ukrainë, janë si në vijim:

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy, ka deklaruar se shpreson për “rezultatin më të mirë të mundshëm” nga samiti, pas bisedimeve me homologun e tij polak, Andrzej Duda. Zelenskiy ka thënë se nuk pret që Ukraina t’i bashkohet NATO-s deri pas luftës, por shpreson se samiti do ta japë një “sinjal të qartë” mbi synimin për ta futur Ukrainën në aleancë.

Presidenti amerikan Biden ka mbërritur në Londër përpara samitit të NATO-s ku do të ketë diskutime për Ukrainën me kryeministrin britanik, Rishi Sunak.

Presidenti amerikan ka fgolur permes telefonit të dielën me homologun e tij turk, Recep Tayyip Erdoğan, dhe e ka “përcjellur dëshirën e tij për të mirëpritur Suedinë në NATO sa më shpejt të jetë e mundur”, thuhet në një njoftim nga Shtëpia e Bardhë. Uashingtoni ka rritur presionin ndaj Ankarasë për të hequr dorë nga kundërshtimi i saj ndaj ofertës së Suedisë për anëtarësim në NATO, përpara samitit të Vilniusit.

Zyra e Erdoganit ka thënë se lideri turk e ka riafirmuar Bidenit qëndrimin e tij të kahershëm se Suedia ende duhet t’i luftojë më fort militantët e dyshuar kurdë për ta fituar mbështetjen e Turqisë. Ai tha se të dy presidentët do të takohen në margjinat e samitit.

Samiti i NATO-s vjen pasi anëtarët e vetë partisë Demokratike të Bidenit, grupet e të drejtave të njeriut dhe OKB-ja ngritën pyetje në lidhje me vendimin e SHBA për të dërguar bomba thërrmuesenë Ukrainë, të cilat janë ndaluar nga më shumë se 100 vende të botës. Senatori amerikan Tim Kaine ka thënë për Fox News se ka “disa shqetësime të vërteta” në lidhje me këtë vendim sepse “mund t’u jepë dritën jeshile shteteve të tjera për të bërë diçka ndryshe gjithashtu”.

Presidenti i Gjermanisë ka thënë se Gjermania nuk duhet ta “bllokojë” SHBA-në nga dërgimi i bombave thërrmuese në Ukrainë, duke mbajtur kundërshtimin e saj ndaj përdorimit të armës. “Pozicioni i Gjermanisë kundër përdorimit të municioneve thërrmuese është po aq i justifikuar si kurrë më parë. Por ne nuk mund, në situatën aktuale, t’i bllokojmë Shtetet e Bashkuara”, ka deklaruar presidenti Frank-Walter Steinmeier për transmetuesin gjerman ZDF të dielën.

Sistemet ruse të mbrojtjes ajrore rrëzuan katër raketa të dielën, thanë zyrtarët rusë, një mbi gadishullin e aneksuar të Krimesë dhe tre të tjerë mbi rajonet Rostov dhe Bryansk të Rusisë që e kufizojnë Ukrainën. Disa ndërtesa u dëmtuan në Rostov dhe Bryansk, por nuk u raportuan viktima. Nuk raportohet për viktima apo dëme në Krime.

Forcat ukrainase “po shënojnë progres” rreth qytetit lindor të Bakhmutit, ka thënë gjeneral-koloneli Oleksandr Syrskyi, komandanti i forcave tokësore të Ukrainës. Forcat ruse futen nën kontroll Bakhmutin në maj pas muajsh luftimesh të rënda, por mendohet se po luftojnë për ta mbajtur kontrollin e tij.

Presidenti i Afrikës së Jugut, Cyril Ramaphosa, ka thënë se samiti i BRICS i muajit të ardhshëm, ku Vladimir Putin është ftuar të marrë pjesë, do të mbahet personalisht, pavarësisht një urdhër-arresti për liderin rus. “Samiti i BRICS po vazhdon dhe ne po i finalizojmë diskutimet tona mbi formatin,” u tha Ramaphosa gazetarëve afrikano-jugor të dielën në margjinat e një konference nga ANC në pushtet, duke shtuar se do të ishte një takim “fizik”./The Guardian

Përgatiti: Nuhi Shala