Besnik Bislimi: Të vazhdohet me bisedime intensive për normalizim të plotë të marrëdhënieve

Kryenegociatori i Kosovës për dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi, ka thënë se pas arritjes së marrëveshjes për targat duhet të vazhdohet me bisedime intensive për propozimin e BE-së për normalizim të plotë të marrëdhënieve.

“Pas marrëveshjes së sotme, duhet të vazhdojmë bisedimet intensive për propozimin e BE-së, të mbështetur nga Gjermania dhe Franca, për normalizim të plotë të marrëdhënieve”- ka shkruar Bislimi.

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje lidhur me çështjen e targave.

Sipas kësaj marrëveshje, Serbia do ndalojë lëshimin e targave për qytetet e Kosovës, derisa Kosova do ndërpresë veprimet në lidhje me riregjistrim të automjeteve.

Bisedimet mes kryeministrit Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, të zhvilluara nën ndërmjetësimin e Josep Borrell dhe Mirosllav Lajçak, të hënën, kanë përfunduar pa marrëveshje. Përfaqësuesi i BE-së, Josep Borrell, kishte fajësuar Kurtin për dështimin e arritjes së një marrëveshjeje.