(Ilustrim) Bislimi- Petkoviq- Lajçak FOTO: Twitter

Borrell: Kosova dhe Serbia arrijnë marrëveshje për targat

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje lidhur me çështjen e targave.

Lajmin e ka bërë të ditur Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme Josep Borrell.

“Kemi një marrëveshje! Me kënaqësi të njoftoj se kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë nën lehtësimin e BE-së kanë rënë dakord për masat për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm dhe për t’u përqendruar plotësisht në propozimin për normalizimin e marrëdhënieve të tyre”- ka njoftuar Borrel në Twitter.

Sipas tij, Serbia do ndalojë lëshimin e targave për qytetet e Kosovës, derisa Kosova do ndërpresë veprimet në lidhje me riregjistrim të automjeteve.

“Serbia do të ndalojë lëshimin e targave me emërtimet e qyteteve të Kosovës dhe Kosova do të ndërpresë veprimet e mëtejshme në lidhje me riregjistrimin e automjeteve. Do t’i ftoj palët në ditët në vijim për të diskutuar hapat e ardhshëm”- ka shkruar Borrell.

Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, dhe ai i Serbisë, Petar Petkoviq, janë takuar sot në Bruksel në një përpjekje të fundit për të gjetur zgjidhje në lidhje me çështjen e targave të automjeteve të përdorura nga serbët e Kosovës.

Sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës, më 21 nëntor do të duhej të fillonte zbatimi i fazës së dytë – ai i gjobitjes së pronarëve të automjeteve me targa, të cilat autoritetet e Kosovës i cilësojnë si ilegale.

Kryeministri Albin Kurti e ka pranuar një kërkesë të ardhur nga ambasadori i SHBA-së në Kosovë për të shtyrë për 48 orë fillimin e zbatimit të gjobitjes së pronarëve me targa të tilla, në mënyrë që të vazhdonin bisedimet për të gjetur një marrëveshje për këtë çështje.

Bisedimet mes kryeministrit Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, të zhvilluara nën ndërmjetësimin e Josep Borrell dhe Mirosllav Lajçak, të hënën, kanë përfunduar pa marrëveshje. Përfaqësuesi i BE-së, Josep Borrell, kishte fajësuar Kurtin për dështimin e arritjes së një marrëveshjeje.