Berat Rukiqi: Nga mosveprimi institucional bizneset po luftojnë për mbijetesë

Kryetari i Odës Ekonomikë të Kosovës, Berat Rukiqi përmes një postimi në Facebook ka kërkuar implementimin e Pakos Emergjente si dhe atë të rimëkëmbjes ekonomike. Ai iu ka bërë apel deputetëve të Kuvendit të Kosovës të votojnë rishikimin e buxhetit duke i hapur rrugë ekzekutimit të Pakos Emergjente.

“Momentalisht, është shumë e rëndësishme që Pakoja “emergjente”, të implementohet në tërësinë e saj pa vonesa shtesë, përcjellur nga pakoja e rimëkëmbjes ekonomike që adreson nevojat e sektorit privat. Për biznesin dhe punëtorët e sektorit privat, që janë taksapaguesit kryesorë në vend, ka pak rëndësi se kush duhet të merr vendim, a duhet rishikim buxheti apo jo dhe komplikimet tjera ligjore dhe politike. Rjedhimisht, konsiderojmë se rishikimi i buxhetit dhe marrëveshjet ndërkombëtare do të duhej të votoheshin sa më parë, pasi që janë jetike për shpëtimin e ndërmarrjeve dhe vendeve të punës dhe si të tilla do të duhej të ishin mbi interesin partiak.

Rukiqi ka akuzuar institucionet e vendit për mosveprim të shpejtë institucional, si shkak i së cilës bizneset po luftojnë për mbijetesë. Ai ka bërë thirrje për një veprim të shpejtë nga ana e Qeverisë në përkrahje të sektorit privat.

“Por, e vërteta e hidhur është se, sot, si rezultat i pandemisë COVID-19 dhe mosveprimit të shpejtë institucional, bizneset Kosovare po luftojnë për MBIJETESË. Mbijetesa e bizneseve dhe zgjidhja e shumë problemeve tani nuk është e mundshme pa ndërhyrjen e shtetit e cila duhet të jetë me synime të qarta dhe efikase.  Ju bëj apel të konsideroni me seriozitet të lartë gjendjen e sektorit privat sepse një veprim i shpejtë institucional është i domosdoshëm për të mundësuar mbijetesen e ekonomisë sonë.., është e rëndësishme të mobilizohemi të gjithë, sidomos Kuvendi e Qeveria, si akterë kyq, në përkrahje të bizneseve. ”, ka thënë ai.