Beqa: Qeveria duhet të dorëzohet para qytetarëve dhe të dalë me ofertë të re

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Hajdar Beqa ka thënë se Qeveria e Kosovës duhet të dorëzohet para qytetarëve dhe të dale me ofertë të re.

Kështu u shpreh ai pas dështimit të mbledhjes së Komisioni për Mbikëqyrje të Financave Publike, në mungesë të kuorumit.

Beqa tha se Qeveria nuk i ka numrat të vazhdojë tutje.

“Ne mendojmë që kjo Qeveri nuk i ka numrat për me vazhdu tutje dhe ka dështu dhe mendoj që është në të mirën e vendit që sa më shpejtë të shkojmë te qytetarët e të marrim besimin prej fillimit. Besoj që nuk ka kredibilitet më Kuvendi i Kosovës e as Qeveria sidomos pas përgjimeve që i pamë ditëve të fundit mes shefes së grupit parlamentar të LVV-së dhe kriminelit Radojqiq dhe përfaqësuesit të Listës Serbe, Simiq”- ka deklaruar Beqa.

“Është momenti i fundit që kjo Qeveri duhet të dorëzohet para qytetarëve dhe me dalë me ofertë të re. Fatkeqësisht kjo është dorëzu por është dorëzu para Serbisë”- shtoi ai.

Deputeti i PDK-së gjithashtu ka folur edhe për përleshjen fizike në Kuvend javën e kaluar, për të cilën ai tha se zëvendëskreministri Bislimi “ nuk ka të drejtë me u mundu me nalë një mjet protestues të një deputeti”.

“Nuk ka pasë gjakra të nxehta. E dini që këtu është një shtet, jemi sistem parlamentar, e kemi një Kushtetutë dhe një rregullore të Kuvendit dhe atë se çka ka bërë një anëtar i qeverisë, Bislimi, ka qenë e orkestruar dhe është në kundërshtim me të gjitha ligjet e Kushtetutën. Nuk ka të drejtë një zv.kryeministër me u mundu me nalë një mjet protestues të një deputeti e aq ma shumë të opozitës. Nuk ka ndodhë të sulmohet opozita në shtete demokratike, është hera e parë”- tha Beqa.

Tutje, ai ka folur edhe për atë se çka ka deklaruar para Prokurorisë në lidhje me përplasjen fizike të së enjtes.

“Ne e kemi shpjegu atë se çka e kemi thënë në media dhe atë se çka është pa në video-incizime dhe ju gazetarët keni qenë aty. Ne do të themi realiztetin çdo herë dhe do të përgjigjemi para instituicioneve të drejtësisë dhe besojmë fuqishëm në ato institucione”- është shprehur ai.

Beqa po ashtu tha se ia ka rikthyer syzet e padëmtuara ministrit të Financave, Hekuran Murati, pas përleshjes.

“Syzet i ka marrë zotëri Murati të padëmtuara dhe ka ardhë pas një kohe të caktuar i ka vendosur dhe me ato syza ka vazhduar ditën atë ditë”- theksoi ai.

Deputeti ka thënë se PDK ka marrë vendim që nuk do të marrë pjesë as në komisione e as në seanca plenare.

Ka dështuar sot të mbahet mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrje të Financave Publike, për shkak të mungesës së kuorumit.

Pavarësisht prezencës së gjashtë deputetëve, anëtarë të komisionit, në votim për miratimin e rendit të ditës nuk morën pjesë deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës, Hajdar Beqa dhe Rashit Qalaj.

Në rend të ditës ishte shqyrtimi i Raportit të auditimit për pasqyrat vjetore financiare të Fondit për Sigurime Shëndetësore, për vitin 2022. I ftuar në komision ishte, Bujar Kaçuri, drejtor i FSSH-së.

Më 13 korrik 2023, në Kuvendin e Kosovës, gjatë kohës sa ishte duke dhënë fjalim kryeministri Albin Kurti ka ndodhur një pëleshje fizike.

E gjithë kjo nisi kur deputetja e PDK-së Ganimete Musliu vendosi një foto në foltoren e Kuvendit, përderisa Kurti po deklarohej, një fotografi të kreut të ekzekutivit më hundë të madhe.

Më pas zëvendëskryeministri Besnik Bislimi është ngritur nga karriga e tij dhe ka grisur fotografinë.

Pas këtij veprimi, deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku i cili hodhi ujë në drejtim të kryeministrit Kurti dhe zëvendëskryeministrit Bislimi. Në mbrojtje të kryeministrit doli ministri i Financave, Hekuran Murati derisa Bislimi shihet teksa gjuan një shishe në drejtim të Lushtakut.

Ndërkaq deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa, shihet duke goditur ministrin Murati. Pas kësaj, kanë ndërhyrë edhe deputetë tjerë të LVV-së e të PDK-së. Kjo shkaktoi që më pas edhe mbrojtja e Kurtit të hyjë brenda sallës së Kuvendit, përderisa kryeparlamentari, Glauk Konjufca u ka bërë thirrje Policisë së Kosovës që të shkojë në sallë dhe të ndërhyjë.

Deputetët e partisë në pushtet dhe opozitës kanë filluar të shtyhen mes vete, kur Kuvendi vazhdoi një seancë të jashtëzakonshme të thirrur nga Lëvizja Vetëvendosje.

Kjo si revoltë e opozitës ndaj pushtetit, pas publikimit të disa audio-incizimeve ku dëgjohet biseda e shefes s deputetëve të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila me ish-deputetin e Listës Serbe, Slavko Simiq, në qershor të vitit të kaluar.

Për rastin e përleshjes, në intervistim në prokurori janë thirrur deputetët e PDK-së, Mergim Lushtaku dhe Hajdar Beqa, si dhe qeveritarët, Besnik Bislimi dhe Hekuran Murati.

KALLXO.com mëson nga burime brenda Prokurorisë se ministri i Financave, Hekuran Murati është ftuar si i dëmtuar për intervistim, ndërsa zëvendëskryeministri Besnik Bislimi si i dyshuar.