Beogradi do të ndalojë eksportet e armëve ‘në rast agresioni kundër Serbisë’

Presidenti serb thotë se po mendon ndalimin e eksportit të armëve, duke përmendur ‘agresionin’ e mundshëm kundër vendit të tij dhe duke iu referuar situatës së nxehtë në Kosovë.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq tha se javën e ardhshme ndoshta do të nënshkruajë një vendim për ndalimin e eksportit të mëtejshëm të municionit dhe armëve, pasi siç tha ai, aktualisht është i kërcënuar interesi jetik kombëtar i vendit.

“Ne do të kontrollojmë se si po mbahen kontratat. Gjithçka duhet të përgatitet në rast të agresionit kundër Republikës së Serbisë”, tha Vuçiq, pas një fjalimi të gjatë për situatën e nxehtë në Kosovë, ku prej muajsh kanë shpërthyer konfliktet mes serbëve që janë shumicë në veri të Kosovës dhe policisë shqiptare të Kosovës.

Ai tha se Serbia nuk po përgatitet për asnjë luftë dhe se ka bërë gjithçka për të de-përshkallëzuar konfliktin, por se “nuk varet vetëm nga ne”.

Edhe pse situata në Kosovë është e tensionuar, njoftimi për eksportin e armëve vjen pas raportimeve se armët serbe po përfundojnë në Ukrainë.

Reuters raportoi në prill se edhe pse Serbia ka refuzuar t’i bashkohet sanksioneve perëndimore ndaj Rusisë për shkak të lidhjeve tradicionale me Moskën, ajo, sipas një dokumenti të fshehtë të Pentagonit të zbuluar, ka rënë dakord të furnizojë me armë Kievit ose i ka dërguar ato tashmë.

Zyrtarët serbë e mohuan raportin. Sidoqoftë, Vuçiç i tha Financial Times në qershor se ai “nuk është budalla” dhe është i vetëdijshëm se “disa nga armët mund të përfundojnë në Ukrainë”.

“A ka mundësi që të ndodhë? Nuk kam asnjë dyshim se mund të ndodhë. Cila është alternativa për ne? Për të mos e prodhuar atë? Për të mos e shitur?” pyeti Vuçiq.

Që nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia, thuhet se armët serbe kanë përfunduar në Ukrainë, por jo se i ka dërguar direkt, por në vendet aleate të NATO-s me Ukrainën.

Në qershor, në mediat sociale u shfaqën foto të raketave 120 mm të prodhuara në fabrikën e armëve Krusik të Serbisë. Fotot tregojnë se raketat janë prodhuar rishtas në vitin 2023.

Media ruse Mash raportoi gjithashtu në shkurt se raketat nga fabrika e armëve Krusik, nëpërmjet ndërmjetësve, përfunduan në ushtrinë ukrainase.

Mash tregoi dokumente nga të cilat, raportoi, mund të konkludohet se raketat Grad 122 mm arritën në Ukrainë përmes Turqisë dhe Sllovakisë.

Kompanitë serbe, turke dhe amerikane dyshohet se janë të përfshira në zinxhir. BIRN më vonë kontrolloi pretendimet dhe arriti në përfundimin se kompania ndërmjetëse serbe në këtë zinxhir ishte SOFAG, në pronësi të vajzës së Slobodan Tesiçit, një tregtar armësh serb në listën e sanksionuar nga SHBA.

Sipas dokumenteve të publikuara nga mediat ruse, është përfshirë edhe kompania amerikane Global Ordnance. Ajo është në pronësi të Mark Morales, një nga lojtarët më të rëndësishëm në linjën e furnizimit të Pentagonit që armatos rebelët sirianë që luftojnë të ashtuquajturin Shteti Islamik në Irak dhe Siri.

Kompanitë në pronësi të Global Ordnance gjithashtu furnizojnë me armë dhe municion Departamentin e Mbrojtjes së SHBA dhe aleatët e tij, veçanërisht Ukrainën. Në gusht 2021, Global Ordnance nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi shumëvjeçare me Ukroboronprom, një agjenci shtetërore ukrainase që menaxhon mbi 100 ndërmarrje shtetërore të mbrojtjes.

Armët e prokuruara nga kompanitë e Morales në përgjithësi janë me burim kryesisht nga prodhuesit shtetërorë të armëve në Ballkan dhe Evropën Lindore.

BIRN  raportoi në korrik 2022 se dy kompani me lidhje me Tesic kanë eksportuar municion në gjashtë firma amerikane, duke përfshirë Global Ordnance, pavarësisht se Tesic ishte në listën e zezë nga autoritetet amerikane për pesë vitet e fundit për ryshfet dhe për shkelje të embargove të armëve.

Morales mohoi të dinte se kompanitë janë të lidhura me Tesiçin. Pentagoni nuk e ka komentuar këtë histori. Ambasada e SHBA-së në Serbi tha: “Edhe pse ne nuk mund të komentojmë publikisht për raste specifike, qeveria amerikane i merr seriozisht të gjitha pretendimet për mbështetje materiale ndaj subjekteve të sanksionuara”.

Përgatiti: Besart Munishi, Florinda Kelmendi, Andrin Aliu, Valon Kaqanolli