Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Bekë Berisha: Hiqeni orën policore, askush nuk po e respekton

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Bekë Berisha sot gjatë Seancës Plenare ka kërkuar heqjen e orës policore.

Berisha ka thënë se masat nuk po i respekton askush.

“Unë sot jam në foltore për një kërkesë. Kërkoj për me u hekë ora policore. Kjo orë policore nuk po ndihmon në menaxhimin e pandemisë. Nuk po e ndihmon menaxhimin e mirë të pandemisë, masat nuk po i respekton askush dhe për më keq po e dëmton konceptin e sigurisë publike. Të gjitha vendet në botë i kanë heq këto masa dhe duhet edhe ne”, ka thënë Berisha.

“Nuk ka nevojë në emër të masave kundër pandemisë policia të dal gjithë ditën dhe të kontrollojë njerëz për armë pa leje. Kërkojë që këto të hiqen sepse nuk ka kuptim”, ka shtuar ai.

Kufizimi i qarkullimit në Kosovë është nga ora 00:00 deri në 05:00 nga vendimi i fundit për masat anti-COVID nga masat e reja që kanë hy në fuqi me 5 shkurt.

Bekë Berisha ka folur edhe për testin e rekrutimit të policëve të ri.

“Shqetësim tjetër janë testet për rekrutimin e policëve të ri. Ne kemi nivelin e më të ulët të arsimit kurse testet kërkojnë nivel të lartë intelektual. Këta djem e vajza po konkurrojnë për policë jo për akademi të shkencave”, ka thënë ai.

Kuvendi i Kosovës po mban sot Seancë Plenare. Në rend dite të kësaj seance janë 27 pika.