Begaj uron Kurtin për mandatin e ri në krye të Qeverisë
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, e ka uruar Albin Kurti për mandatin e ri në krye të Qeverisë së re.
“I uroj suksese në mandatin e ri, në drejtimin e Qeverisë drejt progresit, zhvillimit dhe begatisë së popullit të Kosovë”- ka thënë Begaj në Facebook, më 12.02.2026.
Begaj ka siguruar Kurtin për mbështetje dhe bashkëpunim.
“Shpreh bindjen se përkushtimi dhe bashkëpunimi në dobi të shtetit dhe qytetarëve do të udhëheqin të gjithë klasën politike të Kosovës në përballimin e sfidave që janë përpara. Ju sigurojmë për vijimin e mbështetjes vëllazërore për Qeverinë tuaj dhe bashkëkombësit tanë”- ka shkruar presidenti Begaj.
Kuvendi i Kosovës ka votuar më 11.02.2026 Qeverinë e re të Kosovës që do të drejtohet nga Albin Kurti.
Për Qeverinë Kurti 3 kanë votuar 66 deputetë për, 49 kundër dhe asnjë abstenim.
Kjo është hera e tretë që Albin Kurti zgjidhet Kryeministër i Kosovës.
Për herë të parë ishte zgjedhur më 03.02.2020, por Qeveria e koalicionit Lëvizja Vetëvendosje-Lidhja Demokratike e Kosovës, ra më 25.03.2020 pas mocionit të votëbesimit nga LDK.
Në zgjedhjet e 14.02.2021, të cilat erdhën si pasojë e rrëzimit të Qeverisë Hoti nga Gjykata Kushtetuese, Kurti doli fitues dhe u zgjodh Kryeministër për herë të dytë, më 22.03.2021.
Pas zgjedhjeve të mbajtura më 09.02.2025 në të cilat LVV mori 42.30% të votave, ai nuk arriti të bëhet kryeministër pasi nuk i kishte votat e mjaftueshme në Kuvend.
Dhe atë që dështoi ta bënte në legjislaturën e nëntë arriti ta realizoi në legjislaturën e dhjetë të dalë nga zgjedhjet e parakohshme të 28.12.2025, në të cilat LVV mori 51.10% të votave.
Prej një aktivisti të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti është shndërruar në politikanin më të votuar në Kosovë.