Kadri Veseli, Besim Beqaj e Bedri Hamza - Foto: KALLXO.com

Bedri Hamza kërkon dorëheqjen e Konjufcës, e quan ideolog të "Syrit të Popullit"

Shefi i Grupit Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka kërkuar dorëheqjen e Glauk Konjucës nga kreu i Kuvendit të Kosovës.

Në një konferencë për media, Hamza tha se Glauk Konjufca ka lidhje familjare me njërin nga të dënuarit në shkallën e parë të Gjykatës, Sadri Ramabaja.

Ish-ministri i Financave në qeverinë Haradinaj , tha se ndaj rastit “Syri i Popullit” duhet të distancohet Lëvizja Vetëvendosje.

“Nesër mbushet një javë që kur u dënua organizata “Syri i Popullit”. Ende nuk kemi një reagim të vetëm nga Lëvizja Vetëvendosje. Për PDK është e papranueshme qasja e LVV-së e cila pretendon me udhëheq shtetin dhe institucionet e vendit. Më alarmante është mos deklarimi i kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufcës, i cili është njëri nga ideologët politikë e kësaj organizate”, tha ai para gazetarëve të martën.

Sipas Hamzës, institucioni i legjislativit, nuk e meriton që në krye të ketë një person si Glauk Konjufca.

“Ai ka detyrim moral dhe institucional që të sqaroi opinionin publik për impilimin e tij personal në në këtë organizatë, sepse ai është i lidhur ngushtë dhe familjarisht me njërin nga protagonistët e kësaj organizate terrorsite, Sadri Ramabajën, ish-kandidatin për deputet të Lëvizjes Vetëvendosje. 20 vjet pas luftës, Kosova nuk meriton të ketë në krye të institucioneve një politikan që ka lidhje familjare  dhe politike me aktivist të një organizate si “Syri i Popullit””, ka vlerësuar Bedri Hamza.

“Kryeparlemntari duhet urgjentisht të jap dorëheqje që ta ruaj karakterin demokratik dhe ligjor të Kuvendit të Kosovës. Heshtja e VV delegjitimon aktet terroriste të “Syrit të Popullit”. Aktet e kësaj organizate duhet të dënohen nga të gjithë aktorët politikë në vend”, tha ai në konferencën për media.

Gjykata Themelore në Prishtinë më 22 janar shpalli aktgjykimin dënues ndaj anëtarëve të cilët u akuzuan për pjesëmarrje në organizatën e ashtuquajtur “Syri i Popullit”.

Kurti flet për akuzat e Thaçit në rastin ‘Syri i Popullit’

 

www.kallxo.com