Peter Stano

BE nuk jep datë për marrëveshjen Kosovë-Serbi, Stano thotë se është në duar të palëve

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka komentuar marsin e vitit 2023 si kohë për arritjen e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Stano ka thënë se Bashkimi Evropian nuk përcakton datë artificiale por, ndihmon palët që të arrijnë në datën përfundimtare në arritjen e marrëveshjes gjithëpërfshirëse lidhur me normalizim.

“Kur flasim për urgjencë; dita e djeshme duket tashmë tepër vonë, sepse kjo situatë vazhdon me shumë se prej 10 vjetësh dhe kjo nuk është në interes të qytetarëve të Kosovës dhe Serbisë. Në vend se të përcaktojmë një datë artificiale, ne po ndihmojmë palët, pasi janë palët që vendosin se kur do të jenë gati të arrijnë datën përfundimtare për arritjen e marrëveshjes gjithëpërfshirëse lidhur me normalizimin e marrëdhënieve midis tyre dhe për të ecur përpara. Për të ecur përpara nga metoda e menaxhimit  permanent të krizës te metoda e pajtimit”- ka deklaruar Stano në një intervistë për ABCnews.al.

Stano tha se afatet janë krejtësisht në duart e palëve dhe BE po bën çdo gjë që mundet për gjetjen e një zgjidhjeje.

“Nuk jemi ne që përcaktojmë afatet. Afatet janë krejtësisht në duar të palëve, në përfitimin e qytetarëve të tyre dhe Bashkimi Evropian do të bëjë çdo gjë që mundet që palët të gjejnë kompromisin. Por u takon palëve që të gjejnë kurajon për të arritur kompromiset e nevojshme me fryën evropiane”- u shpreh Stano.

Më 23 nëntor, palët në Bruksel u dakorduan për çështjen e targave për të shmangur eskalimin e situatës në veri. Marrëveshja u arrit dy ditë pasi më 21 nëntor në Bruksel u takuan kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Edhe pas 8-orësh diskutime në takime të ndara dhe të përbashkëta, për arritjen e një zgjidhje për çështjen e targave, në fund nuk pati marrëveshje.