Shefi për Politikë të Jashtme i Bashkimit Evropian Josep Borrell.

BE konfirmon se pranoi letrën për sjellje më të ashpër ndaj Serbisë

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano ka konfirmuar se Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell ka pranuar letrën e 56 diplomatëve ndërkombëtar, në të cilën këta të fundit i kanë dhënë mbështetjen për Kosovën dhe i kanë bërë thirrje Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Britanisë së Madhe, për qasje më të ashpër ndaj Serbisë.

Në një përgjigje për KALLXO.com, Stano ka thënë se BE ka 27 shtete anëtare me 27 parlamente dhe mijëra parlamentarë, teksa thekson se politika e jashtme dhe qasja e këtij unioni janë formuar nga po këto shtete.

“Në këtë letër të veçantë nga 56 deputetë nga disa shtete anëtare të BE-së dhe disa vende të tjera, mund të konfirmojmë se HRVP sapo e ka marrë atë. Kujtojmë se BE-ja ka 27 shtete anëtare me 27 parlamente dhe mijëra parlamentarë. Politika e jashtme dhe qasjet e BE-së ndaj partnerëve janë formuar nga 27 shtete anëtare të përfaqësuara nga qeveritë e tyre, në unanimitet”- është shprehur Stano.

“BE-ja është një lehtësues neutral në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. BE-ja vlerëson angazhimin e Palëve në Dialog bazuar në meritat e tyre individuale dhe raporton tek Shtetet Anëtare”- shton ai.

Zëdhënësi i Unionit Evropian deklaron se BE u ka bërë kërkesa të dyja palëve për të zgjidhur tensionet aktuale dhe se shtetet anëtare konsultohen për veprimet e BE-së, dhe se këta të fundit bashkëpunojnë ngushtë me partnerët, sidomos me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“BE-ja u ka bërë kërkesa të dyja palëve për të zgjidhur tensionet aktuale dhe për të mundësuar vazhdimin e procesit të normalizimit. Shtetet anëtare konsultohen për veprimet e BE-së dhe BE-ja bashkëpunon ngushtë me partnerët e saj, veçanërisht me SHBA-në”- tha ai.

Stano ka treguar për KALLXO.com se BE aktualisht po monitoron nga afër përmbushjen e kërkesave të nga ana e Serbisë dhe është e gatshme të marrë masa në rast se të njëjtat nuk respektohen.

“BE-ja aktualisht po monitoron nga afër përmbushjen e kërkesave të BE-së nga ana e Serbisë dhe është e gatshme të marrë masa në rast të mospërputhjes me këto kërkesa”- përfundoi ai.

Të hënën, deputetja britanike Alicia Kearns, ka publikuar letrën të cilën sipas saj e kanë nënshkruar dhjetë kryetarë të komiteteve për punë të jashtme dhe 56 deputetë.

Kjo letër iu dërgua shefit të diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, sekretarit amerikan të shtetit, Antony Blinken, diplomatit britanik, James Cleverly.

Në letër është kërkuar “balancë dhe proporcionalitet në bashkëveprimin me Kosovën dhe Serbinë”, teksa është theksuar se“Kosova është përballur me pasoja të mëdha pas përpjekjeve të kryetarëve që të hyjnë në zyrat e tyre në veri të Kosovës”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në mbledhjen Qeverisë të mërkuren , e ka vlerësuar këtë letër si zhvillim pozitiv për Kosovën në rrafshin ndërkombëtar.

“U jemi falënderues të gjithë përfaqësuesve politik që janë bashkuar të kësaj thirrje të përbashkët dhe mirëpresim secilën nënshkrim dhe mbështetje të radhës. Ky lloj i mbështetjes na forcon përkushtimin tonë për shtensionim të situatës në katër komunat në veri, angazhimin për demokraci dhe bindjen për ligjshmëri e kushtetutshmëri”- theksoi ai.

Ndërkaq, presidentja Vjosa Osmani ka falënderuar të gjithë nënshkruesit për mbështetjen e tyre për sovranitetin dhe demokracinë e Kosovës.

“Falënderoj të gjithë nënshkruesit për mbështetjen e tyre të fuqishme për sovranitetin dhe demokracinë e Kosovës. Së bashku, ne do të ruajmë vlerat tona të përbashkëta dhe do të forcojmë demokracinë!”-ka shkruar ajo në twitter.

Tensionet në veri të Kosovës u rritën në fund të majit, pasi kryetarët e rinj të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaiviqit, nën përcjelljen e Policisë së Kosovës, hynë në ndërtesat komunale.

Serbët lokalë kundërshtuan këtë gjë dhe organizuan protesta, të cilat kulmuan me dhunë më 29 maj në Zveçan, me ç’rast u lënduan dhjetëra protestues dhe ushtarë të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR.