BE-ja dorëzoi sot pjesën e parë të ndihmës prej 5 milionë euro për Kosovën

Zyra e Bashkimit Evropian ka njoftuar se Shefja e BE-së në Kosovë, Natalia Apostollova e ka dorëzouar pjesën e parë të ndihmës nga BE-ja për Kosovën prej 5 milion eurove, për luftimin e pandemisë COVID-19.

Ndihma është pranuar nga Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia.

“Ky është momenti kur mund të ofrojmë mbështetje konkrete të Bashkimit Evropian për njerëzit në nevojë dhe profesionistët e shëndetësisë, ata që janë në vijën e parë të kësaj pandemie – në luftë për të shpëtuar jetët e njerëzve”, ka thënë Apostollova.

Sipas njoftimit, ndihma përfshin mbi 1.4 milionë doreza të ndryshme mbrojtëse mjekësore, 4 mijë mburoja për fytyrën, 3 mijë syze mbrojtëse, 4 mijë litra dezinfektues duarsh, 10 mijë palë shtroje njëpërdorimëshë dhe 50 kuti për transportimin e mostrave laboratorike.

“Përveç kësaj ndihme direkte për sektorin e shëndetësisë, BE-ja po përgatit edhe rreth 63 milionë euro si masa afatmesme për ndihmë për grante socio-ekonomike, si dhe rreth 100 milionë euro kredi si ndihmë makro-ekonomike për Kosovën”, thuhet në njoftimin e Zyrës së BE në Kosovë.