Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri i Bashkimit Evropian , Josep Borrell - Foto: Facebook

BE dënon sulmin në veri, kërkon shtendosje të situatës

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Europian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell ka dënuar ashpër sulmin ndaj Policisë së Kosovës, ku mbeti i vdekur një polic sot në Zveçan.

Ai ka kërkuar që sulmet të ndalen menjëherë.

“Dënoj në termat më të ashpër të mundshëm sulmin e shëmtuar nga një bandë e armatosur kundër policëve të Kosovës në Banjskë, në veri të Kosovës, i cili la të vdekur një polic dhe dy të plagosur. Të gjitha faktet rreth sulmit duhet të vërtetohen. Autorët përgjegjës duhet të përballen me drejtësinë” – thuhet në reagimin e Borrell.

Përfaqësuesi i BE-së ka thënë se edhe jetë të tjera të pafajshme janë në rrezik armiqësitë e vazhdueshme në rrethinat e Manastirit të Banjskës.

Borrell më tej ka thënë se EULEX-i, si reagues i dytë i sigurisë, është në terren dhe në kontakt të ngushtë me autoritetet dhe KFOR-in.

“BE-ja dhe shtetet e saj anëtare vazhdimisht u bëjnë thirrje të gjithë aktorëve që të punojnë për të shtendosur situatën në veri të Kosovës” – përfundon komunikata e BE-së.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se mëngjesin e sotëm në fshatin Banjska të Zveçanit është vrarë një polic i Kosovës dhe një tjetër është plagosur.

Zhvillimet e fundit rreth situatës në veri, mund t’i lexoni në këtë LINK.