Foto: Antigonë Isufi/KALLXO.com

Takimi në Bruksel për dinarin serb, guvernatori i BQK-së përballet me akuza e kritika nga opozita

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili, në raportimin në Komisionin për buxhet, punë dhe transfere më 13.03.2024 u ballafaqua me akuza të deputetëve të opozitës në lidhje me pjesëmarrjen e tij në takimin në Bruksel lidhur me Rregulloren për dinarin serb.

Ata i thanë që me shkuarjen e tij në Bruksel i ka hapur telashe të reja Kosovës, gjë që Ismaili e kundërshtoi duke thënë që nuk ka shkuar në Bruksel për të negociuar.

Polemika nisi kur deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, tha që guvernatori Ismaili nuk ka pasur asnjë të drejtë ligjore që të shkojë në takimin në Bruksel të mbajtur më 27.02.2024, duke e konsideruar si takim në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

Ndërkaq, Ismaili e kundërshtoi disa herë me radhë, duke i thënë takimi ka qenë teknik, dhe se nuk ka shkuar të negociojë në asnjë moment për shkak se nuk e ka mandatin për një çështje të tillë.

“Po më detyron të them që je bërë instrument për këtë maskaradë politike. Ndoshta nuk je i vetëdijshëm. Të kanë ulë aty me zyrtarë të Ministrisë së Financave të Serbisë”- tha Hoti, pasi që Ismaili tha se me ndërmjetësim të Mirosllav Lajçakut është takuar në Bruksel me delegacionin e Ministrisë së Financave të Serbisë për të diskuar vetëm në lidhje me opsionet për lehtësim për qytetarët serbë të Kosovës në lidhje me Rregulloren për dinarin.

Hoti këmbënguli që shkuarja e delegacionit të Bankës Qendrore të Kosovës në takimin në Bruksel do të hapë një derë që do gjenerojë telashe të reja për Kosovën, e që nuk do të jetë takimi i fundit ku ata do të marrin pjesë.

Guvernatori Ismaili iu kundërpërgjigj duke i thënë Hotit se nuk ka pranuar ftesë nga Lajçaku për takim në Bruksel, dhe se i kanë paralajmëruar para se të nisen që do të flasin vetëm në lidhje me Rregulloren, dhe assesi nuk do negociojnë edhe pse një gjë e tillë nuk i është kërkuar.

“Nuk ka me pasë pasoja Kosova për shkak se nuk kam negociu. Unë po garantoj që nuk shkoj më në Bruksel, se unë nuk negocioj. Unë nuk i kam shërbyer asnjë Qeverie, as kësaj nuk i shërbej”- tha Ismaili.

Ismaili ripërsëriti që takimin me delegacionin e Serbisë e kanë zhvilluar me prezencën e Lajçakut.

“Lajçak na ka thënë këtë që i diskutuat a e keni problem me ia shpjegu palës tjetër [Serbisë]. Ne kemi thanë nuk është problem”- tha Ismaili, duke shtuar që ky takim në asnjë moment nuk është quajtur takim në kuadër të dialogut.

Guvernatori Ismaili tha që emaili për të shkuar në takim i ka ardhur nga Zyra e Kryeministrit, dhe se ata me vullnetin e tyre të plotë kanë pranuar të shkojnë pa kurrfarë trysnie, anipse thotë që në parim nuk e ka parë të arsyeshme që të shkojë sepse vetë institucioni që e drejton e ka përpliuar këtë Rregullore.

“Ne kemi thanë i dalim zot vet, se nuk lidhet me dialogun”- shtoi ai.

Ndërkaq, deputeti i Partisë Demokratike e Kosovës, Ferat Shala, ka pyetur guvernatorin se a janë konsultuar paraprakisht me Qeverinë për takimin në Bruksel.

“Thatë që nuk keni bërë raport, por na bëtë të ditur që keni takuar persona politikë të një shteti tjetër. S’keni bërë raport dhe si e komenton qëndrimin tënd në takim politik. A je konsultuar me ministrin e Financave, apo me Qeverinë?”- ka pyetur ai.

Guvernatori Ismaili ka thënë se ftesa për takimin në Bruksel iu ka shkuar nga Qeveria, por që me vullnetin e tyre kanë pranuar të shkojnë ngase Rregullorja është përpiluar nga vetë ata.

Ismaili tha që askujt nuk i kanë dërguar raport në lidhje me takimin në Bruksel.

“Nuk kemi dërguar raport, e kam informuar bordin edhe para se me shku, edhe kur kemi ardhur. Kemi pasur komunikim, kur ka ardhur ftesa ka ardhur nga Zyra e Kryeministrit” – ka thënë ai.

Edhe deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, e pyeti guvernatorin Ismalili se a ka pasur presion që ta përfaqësojë Kosovën në dialog në Bruksel, për shkak se, sipas tij, nuk ka ligj që e përcakton një gjë të tillë.

“Le të del dikush që u diskutu në Bruksel një nen i Rregullores, unë sot e la punën”- tha Ismaili pas pyetjes së Lekajt nëse guvernatori ishte detyruar të shkojë në këtë takim nga Qeveria ose i është bërë trysni ose shantazh.

Në këtë takim nga pala kosovare prezentë kanë qenë guvernatori i BQK-së, Ahmet Ismaili, Dardan Fusha, zëvendësguvernator për Operacione Bankare, Jeton Bajramaj, udhëheqës i Departamentit të Parave dhe Marrëdhënieve Bankare dhe ambasadori i Kosovës në Belgjikë, Agron Bajrami.

Më 01.02.2024 në Kosovë ka nisur të zbatohet Rregullorja e BQK-së për operacione me para të gatshme. Përveç tjerash, kjo Rregullore e përcakton euron si valutë të vetme që përdoret si mjete pagese në Kosovë.

Kjo ka ngjallur reagimin e komunitetit serb që jeton në Kosovë, të cilët bëjnë pagesa dhe marrin pensione e ndihma të tjera nga Serbia në dinarë.

Kosova është përballur me kritika dhe paralajmërime serioze për prishje të mundshme të raporteve me SHBA-në.

Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera të QUINT-it kanë kërkuar shtyrjen e zbatimit të vendimit të BQK-së.

Bashkimi Europian vazhdimisht ka kërkuar që çështja e Rregullores së BQK-së të diskutohet në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.