Bahtiri- marketeve: Respektoni masat mbrojtëse ose do të mbylleni

Pas konfirmimit të rastit të parë me coronavirus në qytetin e Mitrovicës, shtabi emergjent i kësaj komune ka marrë masa të reja.

Pasi që e infektuara e parë është një punëtore e ETC-së siç ka bërë të ditur mbrëmë kryetari i komunës Agim Bahtiri është bërë edhe mbyllja e përkohshme e këtij supermarketi deri në identifikimin e të gjitha rasteve të kontaktit.

Përveç kësaj, si masë parandaluese shtabi emergjent sot gjatë takimit të jashtëzakonshëm ka paraparë edhe mos lejimin e qytetarëve nëpër supermarkete pa pajisje mbrojtëse, vendosja e tavolinës për ekzaminim në hyrje të tyre, dezinfektimi i komplet supermarketeve në baza ditore dhe në prani të inspektorëve.

Sipas vendimit obligohen supermarketet të angazhojnë stafin e tyre për të bërë dezinfektimin e të gjitha shportave dhe karrocave për çdo përdorimi, të jetë në hyrje të çdo supermarketi dezinfektuesi për duar, dhe në të gjitha hapësirat tjera, secili qytetar është i obliguar të njoftoj organet e rendit për hyrjen e qytetarëve nga komunat e karantinuara.

Ndërsa kryetari i Mitrovicës Jugore Agim Bahtiri, ka bërë të ditur se bazuar në situatën aktuale, këto masa shtesë hynë në fuqi menjëherë, dhe do të zbatohen në përpikëri, në të kundërtën, ai u betua se do të mbyllen të gjitha marketet në këtë qytet.

“Besoni se këto masa kanë me u zbatu pikë për pikë, ose po ua jap besën që kanë me u mbyllë. Njëzet vjet në burg me shku, unë kam me i mbyllë me dorën time, pa e pyetur askënd. Sepse kur është në pyetje shëndeti i qytetarëve të mi, bash askënd s’e pyes. Nuk e bëj për vete, por e bëj për qytetarët e mijë, dhe unë jam përgjegjës për qytetarët e mi dhe çkado që është në dëm të qytetarëve bash për askënd nuk lodhem. Kështu që ky vendim do të hyjë në fuqi sot”, ka thënë Bahtiri.

Bahtiri theksoi se përkundër gjendjes së krijuar, nuk ka vend për panik tek qytetarët dhe se do të punojnë me përkushtim dhe pa kursyer asgjë.