Babai i Granit Xhakës i reagon kryeministrit Albin Kurti

Babai i futbollistit të njohur, Granit Xhakës, Ragip Xhaka që është edhe kryetar i Degës së PDK-së në Zvicër, i ka reaguar kryeministrit Albin Kurti, duke pretenduar se po përfshihet në zgjedhjet e brendshme në këtë shtet.

Sipas Ragip Xhakës, shqiptarët në Zvicër janë pjesë aktive në jetën publike, me të drejta të barabarta dhe kontribuojnë çdo ditë në zhvillimin e shtetit zviceran andaj përfshirja e partive politike, sipas tij nuk i shërben kësaj harmonie.

“Përfshirja e partive politike të Kosovës në zgjedhjet zvicerane, në rastin konkret e Kryeministrit të Kosovës, nuk i shërben kësaj harmonie. Në fakt, kjo ndërhyrje mund të jetë vetëm e dëmshme, duke hutuar mërgatën dhe përçarë opinionin”- ka shkruar ai.

Ai ka thënë se bashkatdhetarët atje duhet të jenë të lirë që të votojnë sipas bindjeve të tyre – pa direktiva të cilat mund të lëndojnë edhe raportet e shkëlqyeshme ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës.

“Është e drejtë legjitime dhe e patjetërsueshme, për secilin shqiptar që jeton në Zvicër, që të mbështesë këdo prej kandidatëve nga të gjitha partitë që marrin pjesë në zgjedhje. Është fat i mirë që çdo ditë e më shumë po rritet numri i kandidatëve shqiptarë për poste politike”- ka thënë ai.

Tutje Xhaka ka ftuar të gjithë akterët politik në Kosovë që të tregojnë maturi dhe të sillen konform përgjegjësive që u takojnë.

Gazeta zvicerane Blic raportoi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti po bën fushatë për PS-në në Zvicër.

Sipas këtij mediumi, është planifikuar që Kurti të flasë në një panel diskutimi të PS-së në Cyrih në shtator.