Vazhdon seanca për vërtetim pronësie

Në seancën e sotme lidhur me çështjen që ka të bëjë me padinë e paditëses D.M. nga Prishtina ndaj të paditurës, Agjencia Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës – Komisioni i Kërkesave pronësore të Kosovës, u riprecizua se e paditur është Agjencia Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës – Komisioni i Kërkesave Pronësore të Kosovës.

“Meqenëse në kohën kur është ushtruar padia më datë 30 mars 2020, si i paditur ka qenë Komisioni i Kërkesave Pronësore të Kosovës, mirëpo parashtresës së datës 31 mars 2021, ku si e paditur është Agjencia Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës i shtojmë dhe Komisionin e Kërkesave të Pronës së Kosovës. Andaj tani e tutje, i propozojmë Gjykatës që si e paditur të jetë Agjencia Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës – Komisioni i Kërkesave Pronësore të Kosovës”, theksoi i autorizuari i paditëses D.M., Florim Shefqeti.

E paditura me parashtresën e datës 15 prill 2021, Gjykatës i ka dorëzuar provat e listuara nga 1 deri në 22, të gjitha në kopje të vërtetuara, prova që Gjykata drejtpërdrejtë në këtë seancë ia dorëzoi të autorizuarit të paditëses.

I autorizuari i paditëses tha se lidhur me provat e pranuara sot, konsiderojnë se nuk janë dorëzuar në formën siç ka detyruar Gjykata e Apelit.

“Dyshimet që janë ngritur lidhur me përmbajtjen dhe vërtetësinë e këtyre provave, nuk janë sjellë në origjinal e as në kopje siç kërkon ligji, sepse të njëjtave nuk mund t’iu jepet besimi pasi janë vetëm të vulosura nga e paditura. Në këto deklarime dhe mëtej vërtetohet se kundërpropozuesja, përveç shkeljeve materiale ka bërë dhe shkelje procedurale”, theksoi avokati Shefqeti.

Pastaj paditësja i dorëzoi Gjykatës kontratën dhe fletën poseduese të vitit 2003, me të cilën R.D. i kishte shitur banesën që është objekt i kontestit, nënës së paditëses XH.M. që sipas saj, kjo ishte e vërtetuar në Gjykatën Komunale të Prishtinës, pasi atje blerësja kishte bërë regjistrimin e së drejtës së pronësisë që është objekt i kësaj procedure.

“Me këto prova vërtetohet dhe më tej se kërkesa për masën e sigurisë është e bazuar në tërësi, duke iu referuar dhe aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të dorëzuar në Gjykatë në seancën e kaluar por dhe aktvendimit të Gjykatës së Prizrenit. Mirëpo rreziku dhe nevoja e caktimit të kësaj mase, vërtetohet nga parashtresa e të paditurës që ka dorëzuar, që nga vendimi i Gjykatës i datës 20 nëntor 2020, kur ishte refuzuar caktimi i masës e gjer më tani ka ndërmarrë plot 10 veprime, me qëllim që propozueses t’i tjetërsohet prona, objekt i kësaj procedure, andaj janë përmbushur në tërësi kushtet nga LPK për caktimin e masës së sigurisë”, shtoi avokati Shefqeti.

I autorizuari i Agjencisë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës – Komisioni i Kërkesave Pronësore të Kosovës, Ali Dragusha lexoi provat e paraqitura në parashtresën e datës 15 prill 2021 dhe tha se përgjegjësi për komunikim në Agjenci, ka deklaruar se “paditësja D.M. disa herë ka qenë në takim në Agjenci por nuk ka kërkuar të bëjë kërkesën për kompensim, e as që ka pranuar të dijë diçka rreth këtij procesi dhe është arsyetuar se banesa i takon asaj dhe se vendimet e Komisionit për Kërkesa Pronësore janë të gabuara”.

Më tej ai tha se vazhdojnë të kontestojnë kompetencën e kësaj Gjykate.

“Ne vazhdojmë përfundimisht të kontestojmë kompetencën e kësaj Gjykate, bazuar në nenin 2.5 të rregullores së UNMIK-ut, numër 23/1999. Prandaj çdo kërkesë për masë të sigurisë dhe për njohje të së drejtës pronësore, është e pakuptimtë, mbi bazën e kësaj rregulloreje dhe neni bëhet përjashtim nga juridiksioni i gjykatave lokale dhe kjo kërkesë është ekskluzivisht në kompetencë të Agjencisë dhe organeve të saj. Agjencia çështjen kontestuese e konsideron res judicata, çështje të gjykuar bazuar në nenin 2.7 të rregullores së UNMIK-ut numër 23/1999, i cili nen decidivisht e saktëson dhe qartëson se vendimet e Komisionit janë përfundimtare, të paapelueshme dhe si nënshtrohen asnjë procesi apo një organi tjetër në Kosovë”, tha Dragusha.

Tutje ai shtoi se, propozimi për masën e sigurisë është në tërësi i pakuptimtë dhe se H.S. ka fituar të drejtën e pronësisë më 1988, ndërsa më 1992 e ka humbur këtë të drejtë, pasi që pushteti okupues serb mbi baza të diskriminimit ia ka marrë pronën duke e vendosur një pensionere serbe në të.

“Sa i përket propozimit për masën e sigurisë, kjo është tërësisht e pakuptimtë, ashtu siç u kam informuar në seancën paraprake, kjo procedurë në agjencinë tonë ka përfunduar me datë 3 mars 2021, ku është bërë zbrazja nga personat dhe sendet, është liruar prona, është bllombuar dhe çelësat i janë dorëzuar H.S, mbi bazën apo për të cilën të drejtë ka vendosë komisioni me vendim të plotfuqishëm dhe të paapelueshëm siç ndodhet në shkresat e lëndës së Gjykatës”, shtoi ai.

Kurse i autorizuari i paditëses tha se në bazë të ligjit për Agjencinë, neni 31 specifikohet shfuqizimi i rregulloreve të cilat janë thirrur dhe vazhdojnë të thirren nga pala e paditur.

Fillimisht Gjykata e Prishtinës, përmes vendimit të datës 18 nëntor 2020, kishte bërë refuzimin e propozimit për caktimin e masës së sigurisë, ndërsa Gjykata e Apelit përmes vendimit të datës 15 mars 2021 ka bërë aprovimin e ankesës, ashtu që ka kthyer çështjen në rivendosje.

Ndërsa më 31 mars 2021, paditësja ka paraqitur parashtresë në Gjykatë për të bërë precizimin e kërkesëpadisë, ka kërkuar nga Gjykata që të caktohet masa e sigurisë dhe ka kërkuar që në vendosjen meritore të aprovohet në tërësi kjo kërkesëpadi.

Sipas padisë, paditësja D.M. nga Prishtina, kishte paraqitur padi ndaj Komisionit të Kërkesave Pronësore të Kosovës.

Më tej thuhet se e paditura, Komisioni i Kërkesave Pronësore të Kosovës, përmes Vendimit të vërtetuar të datës 8 janar 2020 të Komisionit të Kërkesave Pronësore të Kosovës ka bërë aprovimin e pronësisë mbi pronën e kërkuar duke iu referuar vendimit grupor të datës 22 tetor 2005, ky komision me vendimin e vet të datës 13 dhjetor 2019.

“Vendimi i datës 22 tetor 2005, sipas kalendarit kjo ditë ka qenë e shtunë, me çka në këtë vendim ka dyshime që i njëjti të jetë falsifikuar dhe për të njëjtin do të iniciohet procedurë penale sipas nevojës, pasi që dita e shtunë nuk është ditë pune”, thuhet në padi.

Sipas padisë, baza e cila iu ka paraprirë vendimeve tjera dhe veprimeve është dyshuar si dokument i falsifikuar dhe s’është ditur se nga kush është nënshkruar.

Tutje thuhet se, në bazë të këtij vendimi, është nxjerrë Aktvendimi për caktimin e vërejtjes nr. 011-463-2/425/20 i Agjencisë Kadastrale dhe se vërejtja është caktuar në bazë të Vendimit të vërtetuar të datës 8 janar 2020.

Pastaj thuhet se, Komuna e Prishtinës ka bërë lëshimin e Njoftimit lidhur me lëndën 011-463-2/425/20 të kësaj komune dhe se në procedurën administrative ka paraqitur kërkesë H.S., i cili ka pretenduar se i takon e drejta në banesën që është objekt i kësaj procedure.

Ndërsa thuhet se H.S. sipas vendimit të datës 31 tetor 1988, këtë banesë e kishte vetëm në posedim dhe atë për nevoja zyrtare, ky vendim potencon se “e drejta në shfrytëzimin e kësaj banese, pushon në momentin kur pushon kushti i pushimit të funksionit/detyrës zyrtare pushon, pushon dhe e drejta e shfrytëzimit të kësaj banese”.

Tutje ceket se, sipas Ligjit mbi marrëdhëniet banesore nr. 11/83 në nenin 7 par 3 përcaktohet se “shfrytëzuesit në banesa për nevoja zyrtare nuk e fitojnë të drejtën e pronësisë”.

Sipas padisë, banesën që është objekt i kësaj procedure, paditësja D.M. të drejtën e pronësisë në të e ka fituar nga e ëma e saj Xh.M., ndërsa Xh.M. të drejtën e pronësisë e kishte fituar nga R.D., i cili në mënyrë origjinere ishte shpallur trashëgimtar më 1994 përmes trashëgimisë nga nëna e tij L.D., e cila e kishte blerë këtë banesë, kurse H.S. kishte vetëm të drejtën e shfrytëzimit të kësaj banese përkohësisht.

Po ashtu thuhet se, D.M. me të ëmën Xh.M. të drejtën në banesën lëndore e kanë mbi bazën e kontratave të vërtetuara në Gjykatë.

Mbahet seanca për vërtetim pronësie