Avokati i Popullit ndërmjetësoi mes Qeverisë dhe sindikatave por nuk ka marrëveshje

Avokati i Popullit, Naim Qelaj, ka njoftuar se ditëve të fundit ka mbajtur takime të ndara me përfaqësues të sindikatave dhe të Qeverisë në përpjekje për të ndihmuar në daljen nga situata e krijuar për shkak të grevës të organizuar nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës – BSPK.

Përmes një komunikate, Avokati i Popullit njofton se përkundër përpjekjeve të bëra nga ana e tij si ndërmjetësues, fatkeqësisht nuk është arritur një marrëveshje mes palëve.

“Palët nuk kanë gjetur një konsensus duke mbajtur qëndrimin e njëjtë kur vjen në pyetje lartësia financiare e pakos mbështetëse” – thuhet në njoftim.

Qelaj, sipas njoftimit, ka rikujtuar palët se çdo qëndrim apo veprim në qendër të çdo prioriteti duhet ta ketë interesin më të mirë të fëmijës dhe të drejtën e fëmijëve për edukim dhe arsimim, si e drejtë e garantuar me Kushtetutë.

“Parimi i interesit më të mirë për fëmijët duhet ta udhëheqë secilin prej nesh në kuadër të përmbushjes së detyrimeve dhe të përgjegjësive që kemi” – thuhet tutje në komunikatë.

Gjithashtu Avokati i Popullit rikujton përgjegjësinë kushtetuese e ligjore të Qeverisë dhe detyrimin pozitiv që ka shteti për respektimin e së drejtës për arsimim dhe respektimin e të drejtave dhe të lirive të njeriut, siç janë të përcaktuara në Kushtetutë.

“Në anën tjetër, Avokati i Popullit rithekson rëndësinë që ka respektimi i së drejtës për organizim sindikal dhe i së drejtës për veprime sindikale, mirëpo në situatën e krijuar, çdo orë e  humbur e mësimit ka pasoja të pandreqshme për fëmijët dhe vazhdimi në mospjesëmarrje në mësim është i dëmshëm në shumë aspekte. Çdo orë mësimi për fëmijët është i rëndësishëm për përgatitjen e tyre për jetë dhe ngritjen e potencialit të tyre për një të ardhme më të mirë” – thuhet në komunikatë.

Në fund, për diskutimet dhe çështjet e ngritura në mes palëve, Avokati i Popullit u ka kërkuar palëve që të japin përgjigje.

“Avokati Popullit, sot ka pranuar përgjigje nga qeveria me qëndrimin se janë të gatshëm të bisedojnë për çështjet e prekura nga Avokati ndërsa janë në pritje të përgjigjes nga sindikatat” – thuhet tutje në komunikatë.

Avokati i Popullit publikisht u bën thirrje palëve të reflektojnë, të gjejnë një zgjidhje për të dalë nga kjo situatë,  ashtu që fëmijëve t’u mundësohet gëzimi i së drejtës për arsimim.

“Avokati i Popullit konstaton se në situatën e krijuar e drejta për arsim si e drejtë kushtetuese nuk është duke u respektuar, se fëmijëve po ju cenohet kjo e drejtë dhe janë duke u privuar nga e drejta për edukim dhe arsimim, e kjo do të ketë pasoja të rënda për fëmijët dhe për vendin”.

Bashkimi i Sindikatave te Pavarura të Kosovës nga data 25 gusht ka nisur grevën në sektorin publik në vend.