AUV i reagon Lutfi Hazirit: Qeveria s'ka kompetenca të ndërhyjë në procesin e shqiptimit të gjobave

Gjatë ditës së djeshme kryetari i Komunës së Gjilanit ka kundërshtuar mbylljen e disa lokaleve të gastronomisë një natë më parë në Gjilan. Ai ka fajësuar Qeverinë e Kosovës se po ndërmerr veprime në kohë të zgjedhjeve lokale.

Lidhur më këtë ka reaguar Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë.

AUV thotë se Qeveria nuk merret me shqiptimit të gjobave dhe akuzon kryetarin e Gjilanit, Lutfi Haziri, se me këso deklarata po përpiqet ta përfshijë nivelin qendror në fushatën e zgjedhjeve lokale.

“Qeveria e Republikës së Kosovës nuk ka kompetenca për të ndërhyrë në procesin e shqiptimit të dënimeve ndaj personave konkretë, fizikë apo juridikë, nga inspektorët e AUV-it apo zyrtarët e Policisë së Kosovës për shkeljen e masave anti-Covid. Në vend të kësaj, ekzistojnë procedura të qarta ligjore përmes të cilave secili person i tillë mund të ushtrojë të drejtën e ankimimit ndaj dënimeve që prentendohet të jenë të kundërligjshme”, thuhet në reagimin e AUV.

Po ashtu nga AUV thonë se kjo është përpjekje për të përfshirë nivelin qendror në fushatën e zgjedhjeve lokale nga kryetari aktual e në shërbim të tij.

“Çdo tentim për ta fajësuar apo shantazhuar Qeverinë lidhur me këtë çështje s’është asgjë përveçse përpjekje për të përfshirë nivelin qëndror në fushatën e zgjedhjeve lokale nga kryetari aktual e në shërbim të tij”, thuhet në reagimin e Agjencisë.

Haziri kundërshton ashpër masat e Qeverisë Kurti: Nuk e pranojmë represionin dhe mbylljen e dhunshme të lokaleve