Flamuri i Australisë, Foto: Pixabay

Australia thotë se mund ta njohë shtetin palestinez

Ministrja e Jashtme e Australisë, Penny Wong, tha se vendi i saj mund ta njohë shtetësinë palestineze.

Megjithatë, Hamasi – grup i shpallur terrorist nga SHBA-ja dhe fuqi të tjera – nuk do të mund të kishte asnjë rol në qeverisjen e atij vendi, tha ajo.

Si opozita e Australisë, ashtu edhe Federata Zioniste e Australisë thonë se një veprim i tillë do të ishte i parakohshëm.

Por, Kanbera, prej kohësh, thotë se njohja e shtetit palestinez mund të vijë vetëm si pjesë e një zgjidhjeje me dy shtete, e ndërmjetësuar bashkë me Izraelin.

Wong tha se zgjidhja me dy shtete – sipas së cilës izraelitët dhe palestinezët do të jetonin krah për krah në vende të ndara – është “shpresa e vetme për të thyer ciklin e pafund të dhunës”.

Izraeli ka nisur një fushatë të ashpër të sulmeve në Gazë – enklavë e banuar me palestinezë – prej se Hamasi ka sulmuar territorin e tij në tetor, duke vrarë mbi 1.200 njerëz dhe duke marrë peng qindra të tjerë.

Ministria e Shëndetësisë në Gazë, e udhëhequr nga Hamasi, thotë se mbi 33.000 banorë të Gazës janë vrarë prej se Izraeli ka nisur ofensivën.

Pjesë të mëdha të territorit janë shkatërruar dhe shumë prej banorëve vuajnë nga uria.

Rreth 140 vende e njohin shtetësinë palestineze, por shumë të tjera, përfshirë SHBA-në, Britaninë e Madhe, Gjermaninë dhe Australinë nuk e njohin.

Kombet e Bashkuara do të diskutojnë këtë javë për t’i dhënë Palestinës – e cila aktualisht është “shtet vëzhgues” – anëtarësinë e plotë në këtë organizatë ndërkombëtare. REL