Auditori: OJQ-të nuk kanë arsyetuar mbi 247 mijë euro të marra në Ministrinë e Kulturës

Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur një mal me shkelje sa i përket mbështetjes financiare që Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ofroi për organizata e ndryshme kulturore, sportive, rinore dhe të trashëgimisë kulturore në vitin 2019.

Sipas Auditorit, OJQ-të nuk kanë arsyetuar shumën prej 247, 350 euro të cilat i kanë marrë nga ministria si mbështetje për realizimin e aktiviteteve të tyre në vitin 2019. Auditori ka evidentuar se në 15 raste nuk janë dorëzuar raporte për arsyetimin e shpenzimeve.

“Nga gjithsej 58 mostrat e testuara, për 15 raste të subvencionimeve në shumë totale prej 247,350 euro, nuk ishin dorëzuar raporte për arsyetimin e shpenzimeve, edhe pse aktivitetet e subvencionuara sipas marrëveshjeve duhej të kishin përfunduar kohë më parë. Kjo kishte ndodhur për shkak të neglizhencës së përfituesve të subvencioneve dhe mos ndërmarrjes së masave ligjore nga Ministria ndaj përfituesve të cilët nuk kishin raportuar”, theksohet në raportin e vitin 2019 për MKRS-në.

ZKA konstaton se sipas marrëveshjeve të nënshkruara, me rastin e dhënies së subvencioneve për projekte të ndryshme, bartësit e projekteve obligohen që t’i arsyetojnë shpenzimet e realizuara, në afat prej 30 ditësh pas realizimit të aktiviteteve të subvencionuara.

Mungesa e raporteve për arsyetimin e subvencioneve, sipas ZKA-së rritë pasigurinë lidhur me shpenzimin e këtyre fondeve në pajtim me objektivat e synuara të Ministrisë, si dhe rrit rrezikun që fondet të përdoren për qëllime tjera.

“Ministri duhet të sigurojë se të gjitha projektet e subvencionuara të Organizatave Jo Qeveritare (OJQ) arsyetohen në kohën e paraparë dhe me dokumentet mbështetëse valide të parapara me rregulloren e brendshme të subvencioneve dhe transfereve. Në rastet e mos arsyetimit të subvencioneve të ndërmerren veprimet ligjore, siç parashihet me kontratat përkatëse”, thuhet në rekomandimin e Auditorit.

Sipas ZKA-së, buxheti final për subvencione dhe transfere për këtë ministri ishte 12,503,394 euro. Prej tyre në vitin 2019 ishin shpenzuar 11,432,739 euro.

Në muajin prill, emisioni “Drejtësia në Kosovë” transmetoi hulumtimin për dosjen e shpenzimeve të paarsyetuara nga OJQ-të në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Emisioni Drejtësia në Kosovë ka zbuluar se raportet të cilat do arsyetonin shpenzimin e 40 mijë eurove për projekte të ekstremizmit të dhunshëm janë zhdukur nga Ministria e Kulturës.

Në vitin 2018 ministria kishte ndarë fonde për 19 organizata joqeveritare të cilat do zhvillonin projekte për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm. Shuma ishte rreth 40 mijë euro ndërsa OJQ-të kishin obligim t’i arsyetonin paratë me raporte financiare e narrative.

Hulumtimi 8 mujor i “Drejtësia në Kosovë” zbardh se si Ministria e Kulturës nuk ka arritur që të menaxhojnë në përpikmëri shpenzimin e parave publike pasi që nga 18 OJQ që ishin paraparë të merrnin projekte pas vlerësimit nga ana e një Komisioni brenda ministrisë vetëm katër kishin raportuar se si kishin shpenzuar paratë dhe se si kanë implementuar projektet.