Auditori: MTI dhe MAShT realizuan projekte jashtë objektivave strategjike

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka bërë publik raportin e performancës “Korniza Afatmesme e Shpenzimeve 2018–2020 në sektorin e arsimit dhe të infrastrukturës”, ku ka gjetur se kjo kornizë për tri vite nuk është trajtuar mirë dhe nuk ka siguruar planifikime buxhetore në përputhje me prioritetet strategjike nga ana e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

“Auditimi vë në pah se planifikimi, zbatimi dhe monitorimi i realizimit të objektivave strategjike nuk është në nivelin e duhur. Kjo ka bërë që të zbehet rëndësia dhe qëllimi që ka Korniza Afatmesme e Shpenzimeve (KASH) në planifikim afatgjatë të objektivave dhe buxhetit.  Për rrjedhojë, Korniza Afatmesme e Shpenzimeve nuk është plotësisht në funksion të një planifikimi të qëndrueshëm”, është bërë e ditur në një njoftim për media.

Sipas Auditorit, Zyra për Planifikim Strategjik në kuadër të Zyrës së Kryeministrit nuk ka arritur të bëjë bashkërendim të aktiviteteve të saj, monitorim dhe raportim të vazhdueshëm të implementimit të objektivave strategjike në mënyrë që të hartojë një deklaratë të duhur të prioriteteve.

Ndërsa, sipas ZKA-së Ministria e Financave ka bërë hartimin e Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve në mënyrë të përgjithësuar nëpër sektorë por jo edhe sipas organizatave buxhetore. Kjo e bën të vështirë ndërlidhjen, vlerësimin dhe mbikëqyrjen e aktiviteteve për organizata.

“Ndërsa, Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit (MIT) si dhe Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), nuk kanë arritur të bëjnë planifikim të duhur financiar të projekteve/aktiviteteve dhe realizim të buxhetit për projekte të caktuara duke rrezikuar realizimin e objektivave strategjike qeveritare. Për më shumë, këto dy ministri kishin planifikuar dhe realizuar projekte jashtë objektivave strategjike”, thuhet tutje në njoftim.

Zyra Kombëtare e Auditimit i ka rekomanduar autoritetet përgjegjëse që të sigurojnë hartim dhe miratim të duhur të Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve, e cila duhet të shërbejë si dokument kyç për planifikimin e aktiviteteve strategjike dhe atyre vjetore.

ZKA ka thënë se objektiv i këtij auditimi është vlerësimi nëse procesi i përgatitjes dhe zbatimit të Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve (KASH) ka adresuar objektivat strategjike të përcaktuara, për planifikim të mirëfilltë dhe financim të politikave prioritare në vend.