Auditori: Ministria e Mbrojtjes angazhoi 56 persona me kontrata mbi vepër

Ministria e Mbrojtjes i ka angazhuar 56 zyrtarë me kontrata mbi vepër gjatë vitit të kaluar. Zyra Kombëtare e Auditimit thotë se punësimi i tyre është bërë pa asnjë procedurë të rekrutimit.

Ministria e Mbrojtjes në vitin 2019 udhëhiqej nga Rrustem Berisha i AAK-së, si pjesë e Qeverisë së PAN-it.

KALLXO.com kishte raportuar se Ministria e Mbrojtjes e ka shfrytëzuar fushatën para zgjedhjeve të parakohshme për të rehatuar njerëz brenda kësaj Ministrie përmes kontratave mbi vepër dhe avancimeve të brendshme. Përvec punësimeve me kontrata mbi vepër, KALLXO.com kishte raportuar edhe për konkurset e brendshme të hapura në këtë ministri.

Këto raportime janë vërtetuar tashmë nga Zyra Kombëtare e Auditimit, në raportin e auditimit për vitin 2019.

Sipas ZKA-së, këta zyrtarët fillimisht ishin angazhuar gjashtë muaj dhe pastaj u janë përsëritur kontratat pa ndërprerë.

“Për kryerjen e punëve me afat të caktuar, ministria kishte angazhuar 56 zyrtarë me Marrëveshje për shërbime të veçanta. Fillimisht ishin angazhuar me nga gjashtë muaj, duke ua përsëritur kontratat pandërprerë. Në asnjë rast, ministria nuk ka zbatuar procedurën e thjeshtësuar të rekrutimit”, thuhet në raport.

Auditori madje thotë se nuk kanë arritur të sigurojnë as dëshmitë se kishte kërkesa për këta punëtorë.

“Për të punësuarit e vitit aktual, nuk ka dëshmi për të konfirmuar se njësitë kërkuese kanë parashtruar kërkesë për nevojën e angazhimit të këtyre zyrtarëve. Angazhimi i tyre nuk ka të bëjë me ekspert të lëmisë së caktuar, por ushtrim i pozitave të rregullta”, thuhet më tej në raport.

Sipas ZKA-së, kjo ka rezultuar si shkak i hapjes së pozitave të reja me ristrukturimin e ministrisë dhe shfrytëzimit të mungesës së aprovimit të pozitave nga Ministria e Administratës Publike.

Kurse,  sipas nenit 12, pika 4 të Ligjit për Shërbyes civil nr.03/L-149 dhe nenit 10 të Ligjit të Punës Nr. 03/L 212 organizata buxhetore mund të angazhojnë punëtorë me afat të caktuar në bazë të kontratave “Marrëveshje për shërbime të veçanta”, për më pak se gjashtë muaj.

ZKA thotë se kjo gjetje e tyre  mund të rezultojë me mungesë të mirëfilltë të konkurrencës dhe cilësi të dobët të shërbimeve të ofruara.

“Në mungesë të kontrolleve, për shkak te riorganizimit ministria rrezikon të angazhoj persona jo kompetent për pozitat përkatëse, si dhe mund të ndikoj në rritje të shpenzimeve të pa planifikuar”, thuhet në raport.

ZKA po ashtu ka rekomanduar që ministri dhe tu të sigurojë se janë marrë masa për të ndërprerë praktikën e lidhjes së kontratave pa procedura të rekrutimit dhe kohëzgjatja e këtyre marrëveshjeve të bëhet në përputhje me legjislacionin përkatës.