'Aksham pazari' me punësime para zgjedhjeve në Ministrinë e Mbrojtjes

Ministria e Mbrojtjes e ka shfrytëzuar fushatën para zgjedhjeve të parakohshme për të rehatuar njerëz brenda kësaj Ministrie përmes kontratave mbi vepër dhe avancimeve të brendshme.

Sipas burimeve të Kallxo.com brenda Ministrisë së Mbrojtjes që nga muaji gusht deri tani në Ministrinë e Mbrojtjes janë punësuar mbi 30 persona me kontratë mbi vepër.

Përveç numrit të madh të të punësuarve me kontrata mbi vepër, kohën para zgjedhjeve të 6 tetorit Ministria e Mbrojtjes e ka shfrytëzuar për të hapur edhe 12 konkurse të brendshme për avancim. 11 prej këtyre 12 pozitave që janë hapur për avancim janë për pozitën e Shefit të Sektorit, të Zyrës ose Njësisë.

Tashmë në prag të fillimit zyrtar të fushatës janë publikuar edhe rezultatet e shumicës prej këtyre pozitave të shpallura.

Ministria e Mbrojtjes (më herët Ministria e Forcës dhe Sigurisë së Kosovës) në mandatin e fundit është udhëhequr nga Rrustem Berisha, i cili është pjesë e AAK-së së udhëhequr nga Ramush Haradinaj, i njëjti është edhe kandidat për deputet nga koalicioni AAK-PSD.

Kallxo.com ka dërguar pyetje në Ministrinë e Mbrojtjes për t’i pyetur në lidhje me numrin e të punësuarve me kontrata mbi vepër, por ata i janë shmangur pyetjes dhe nuk kanë dhënë asnjë numër.

Ministria e Mbrojtjes nuk është përgjigjur as në pyetjen se pse është shpallur konkursi për avancim pikërisht para fushatës dhe nëse ka pasur nevojë për këto pozita edhe më herët.

Pasi Kallxo.com nuk ka marrë përgjigje në lidhje me numrin e të punësuarve me kontratë mbi vepër në Ministrinë e Mbrojtjes, ka provuar të marr përgjigje nga U. D. sekretari i përgjithshëm i kësaj ministrie, Faruk Geci.

Por, edhe pse sipas nenit 38 të Ligjit për Administratën Shtetërore të Republikës së Kosovës, Sekretari i Përgjithshëm menaxhon edhe me nëpunësit civil dhe punonjësit tjerë të ministrisë, Geci ka deklaruar se nuk është i informuar në lidhje me punësimet e fundit në Ministri.

“Drejtohu te Zyra për Marrëdhënie me Publikun, unë nuk merrem me detaje, nuk kam kohë me u marrë se i kemi 100 sene tjera”, ka thënë Geci për Kallxo.com përmes telefonit.

KALLXO.com ka dërguar pyetje në Ministrinë e Mbrojtjes me datë 13 shtator dhe as pas më shumë se dhjetë ditësh, askush nga kjo Ministri nuk ka ofruar të dhëna të sakta për numrin e të punësuarve me kontrata mbi vepër.

Përveç udhëheqësit civil, Kallxo.com ka provuar të marr përgjigje edhe nga Burim Ramadani, zëvendësministri në detyrë i Ministrisë së Mbrojtjes i cili vjen nga AAK, partia e njëjtë me ministrin në detyrë Rrustem Berisha.

Ramadani ka thënë se nuk është përgjegjës për punësime.

“Fol me ministri se nuk jam unë personi përgjegjës për këto tema”, ka thënë shkurt Ramadani.

Me transformimin e FSK-së në ushtri në fund të vitit 2018 edhe Ministria e Forcës dhe Sigurisë së Kosovës është shndërruar në Ministrinë e Mbrojtjes.

Ministria e Mbrojtjes nuk kanë kthyer përgjigje për numrin e të punësuarve me kontrata mbi vepër, por kanë treguar se me miratimin e ligjeve në Kuvendin e Kosovës që nga 14 janari 2019 i është hapur rrugë kësaj ministrie edhe për organizim të brendshëm dhe sistematizim të vendeve të punës.

“Bazuar në Planin  gjithëpërfshirës  të tranzicionit të FSK-së (që mund ta gjeni në web faqe), për vitin e parë të tranzicionit është duke ndodhur  funksionalizimi i Ministrisë së Mbrojtjes me strukturën e re që përfshin civil dhe ushtarak. Gjithashtu  edhe Shtabi i Përgjithshëm dhe FSK, njësitë e FSK-së janë duke u funksionalizuar sipas strukturës së re me staf civil dhe ushtarak. Në këtë vit janë duke ndodhur edhe avancimet e brendshme”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Mbrojtjes.

Sipas tyre publikimet për avancime dhe rekrutime si për stafin civil dhe ushtarak do të bëhen në vazhdimësi deri në plotësimin e strukturës së Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës me stafin e nevojshëm.

Konkurset e brendshme për avancim

Më poshtë gjeni 12 konkurset për avancim të brendshëm të cilat janë shpallur në Ministrinë e Mbrojtjes.

1. Shef i Sektorit për Kontabilitet dhe Pagesa – Data e fundit për aplikim 3 shtator 2019

2. Shef i Sektorit për Zhvillim dhe Analiza – Data e fundit për aplikim 3 shtator 2019

3. Shef i Sektorit për Hartim dhe Harmonizim të Legjislacionit – Data e fundit për aplikim 3 shtator 2019

4. Shef i Zyrës për Menaxhimin e Pasurisë – Data e fundit për aplikim 3 shtator 2019

5. Shef i Sektorit për Mbikëqyrjen e Zbatimit të Legjislacionit dhe Bashkëpunimit Ndër-Institucional – Data e fundit për aplikim 3 shtator 2019

6. Shef i Zyrës së Arkivit në MM – Data e fundit për aplikim 3 shtator 2019

7. Shefi i Sektorit për Politika të Personelit, Mbajtje dhe Dokumentim – Data e fundit për aplikim 3 shtator 2019

8. Zyrtar për Mbështetje – Data e fundit për aplikim 6 shtator 2019

9. Shef i Sektorit për Analizat e Blerjeve Ushtarake – Data e fundit për aplikim 18 shtator 2019

10. Shef i Sektorit për Plane dhe Analiza – Data e fundit për aplikim 18 shtator 2019

11. Shef i Njësisë për Komunitete – Data e fundit për aplikim 18 shtator 2019

12. Shefi i Sektorit për Plane dhe Programe – Data e fundit për aplikim 18 shtator 2019

Edhe në Ministrinë e Drejtësisë vetëm në muajin shtator janë hapur 7 konkurse. Në Ministrinë e Diasporës dhe Investimeve Strategjike gjatë muajit shtator janë shpallur 10 konkurse dhe janë publikuar 12 rezultate për kandidatin e suksesshëm për pozitat e shpallura më herët.

E njëjta mund të vërehet edhe nëpër faqet e ministrive të tjera, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Ministria e Zhvillimit Ekonomik, etj.

Kallxo.com vazhdimisht ka shkruar për punësimet partiake dhe politizimin e bordeve të ndërmarrjeve publike.

Punësimet partiake nëpër institucione

Ndarja e “kulaçit” për punësimet partiake

Politizimi i bordeve të ndërmarrjeve publike