Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci dhe komandanti i FSK-së, Bashkim Jashari. Foto: Ejup Maqedonci/Facebook

Kosova rikonfirmon mbështetjen për Ukrainën

Përmes një takimi online ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci dhe komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Bashkim Jashari rikonfirmuan mbështetjen e vendit ndaj Ukrainës.

Ky takim në mes 54 shteteve, në mes tyre edhe Kosova., është i 17-ti me radhë që po mbahet, e që është i quajtur si Grupi i Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës.

“54 shtetet anëtare në mesin e të cilave dhe Kosova, edhe një herë rikonfirmuam mbështetjen e pakusht për Ukrainën që po vazhdon të përballet me agresionin rus” – është thënë në njoftimin e ministrit.

Tutje, Maqedonci ka thënë se Ukraina po përjeton atë që Kosova e ndjeu gjerë në palcë në luftën e vitit 1999.

“Rusia po njëlloj si dhe Serbia njeh vetëm forcën. Në një gjendje të tillë kur kërcënohet paqja përtej hapësirës gjeografike të shtetit ukrainas ne qëndrojmë të gjithë së bashku” – tha ai.

Tutje i pari i Ministrisë së Mbrojtjes tha se janë bashkë për të përkrahur Ukrainën, të drejtën dhe popullin e pafajshëm që dëshiron t’i kthehet normalitetit.

Po ashtu ai tha se janë bashkë për mijëra të shpërngulurit që presin t’i kthehen shtëpive dhe jetës së tyre të zakonshme pa ushtima bombardimesh e ndjenjë frike se çfarë do të sjell e nesërmja.

Ministri tha se populli ukrainas me ndihmën e shteteve demokratike do të kaloj çdo vështirësi, sepse po luftojnë për familjen e tyre për të ardhmen e tyre, dhe se Kosova përkrah forcën e tyre për çlirim.

Takimi i 17-të i Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës. Foto: Ejup Maqedonci/Facebook