KEK FOTO RTV 21

Auditori konstatoi se KEK-u nënshkroi kontrata me operatorë të papërgjegjshëm

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA), në Raportin për Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), ka gjetur se kjo ndërmarrje publike ka nënshkruar kontrata me operatorë që vet i ka shpallur të papërgjegjshëm.

Sipas Raportit, në të cilin është audituar prokurimi i KEK-ut për periudhën 2018 – 2020 , thuhet se KEK-u për shërbimet e transportit të punëtorëve të vet kishte nënshkruar tetë kontrata të negociuara përgjatë periudhës tetor 2017 deri në maj 2019, pas skadimit të kontratës kornizë tre vjeçare.

Vlera e përgjithshme e këtyre kontratave të negociuara ishte 2.4 milionë euro.

“KEK-u kishte publikuar tender të hapur për këtë shërbim mirëpo nuk kishte arritur të përmbyllte sepse asnjëri nga dy ofertuesit nuk i kishte plotësuar kërkesat e përshtatshmërisë profesionale. Ata ishin të papërgjegjshëm në dy pika: staf i pakualifikuar dhe pajisje të pamjaftueshme. Rrjedhimisht, KEK-u e kishte anuluar aktivitetin e prokurimit”, thuhet në Raportin e Auditorit.

Pasi që kontrata për shërbime të transportit po i skadonte afati, KEK-u i kishte bërë ftesë për negociata njërit nga ofertuesit që ishin shpallur të papërgjegjshëm. Auditori thotë se në këtë rast KEK-u kishte injoruar kërkesat mbi përshtatshmërinë profesionale në këto negociata.

Tutje, KEK-u, sipas ZKA-së, kishte nënshkruar kontratën me operatorin ekonomik i cili në procedurën e sapo anuluar ishte shpallur i pa përgjegjshëm.

Kërkesat e dosjes së tenderit që shoferët e autobusëve të kenë patentë shoferi të vlefshme, si dhe autobusët t’i jenë nënshtruar kontrollit teknik, nuk ishin aplikuar në kontratat e negociuara.

Auditori bën të ditur se vlera e kontratës tremujore dhjetor 2017 – shkurt 2018, ishte 442 mijë e 500 euro.

“KEK-u nuk kishte nisur aktivitet të ri me procedurë të hapur pas nënshkrimit të kontratës së negociuar për shkak se duhej hartuar specifikim teknik (ST) i ri për ndarje të tenderit në tri pjesë (llote), për pasojë KEK-u prapë kishte vazhduar me negociata duke nënshkruar edhe një kontratë një mujore në vlerë prej 147,500 eurove (mars 2018)”, thuhet tutje në Raportin e ZKA-së.

Raporti i Auditorit thekson se edhe pse zyrtari përgjegjës i prokurimit herët e kishte njoftuar menaxhmentin e KEK-ut, lidhur me problemet me prokurimin, duke kërkuar që të shqyrtojnë mundësinë e ndarjes së tenderëve në llote, kjo gjë nuk kishte ndodhur.

Tutje, KEK-u e kishte hapur tenderin për shërbime të transportit dhe kësaj radhe, sipas Auditorit, e kishte ndarë në tri pjesë, e jo sikurse në tenderin e parë vetëm me një operator ekonomik.

Mirëpo kësaj radhe e kishte reduktuar vlerën e parashikuar nga 5.2 milionë në 3.64 milionë euro, apo 1.56 milionë euro më pak, edhe pse numri i kilometrave në total ishte i njëjtë.

“Çmimi i përllogaritur për km ishte reduktuar nga 1.57 euro në 1.10 euro. KEK-u nuk na ka ofruar asnjë sqarim lidhur me këtë dallim të theksuar në përcaktim të vlerës së parashikuar. Për këtë shkak edhe ky tender përfundoi me anulim. Ofertat për llotin 1 e tejkalonin substancialisht buxhetin e KEK-ut për këtë prokurim, dhe për llotin 2 ofertuesi i shpallur fitues ishte tërhequr nga gara”, thuhet tutje në Raport.

Ofertuesit më pas ishin ankuar ndaj vendimit të KEK-ut për anulim të pjesës 1 dhe 2 të tenderi dhe kjo ia ka pamundësuar KEK-ut rishpalljen e tenderit për llot 1 dhe 2, deri në vendim të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP).

Për më tepër, KEK-u nuk ia kishte dhënë kontratën as ofertuesit të përgjegjshëm për llotin 3, për shkak të ankesës.

Dhe për pasojë, Auditori thotë se KEK-u e kishte negociuar kontratën e tretë me radhë, me vlerë prej 442 mijë e 500 euro, për tre muajt e radhës, prill – qershor 2018.

Në ndërkohë vendimi i OSHP-së kishte vonuar për më shumë se tre muaj dhe kështu kishte pasuar kontrata e katërt e negociuar e KEK-ut, në vlerë prej 468 mijë e 065 muaj për tre muaj, korrik – shtator 2018.

Kjo kontratë, thekson Auditori, është për 25 mijë e 500 euro më shtrejntë se kontratat paraprake.

Kostot e KEK-ut për transport ishin për rritur për 8 mijë e 521 euro, për shkak se kishte shtuar linja të reja të transportit, sipas ZKA-së, pa ndonjë arysetim formal.

“KEK-u nuk kishte mundur të hap tender të ri me të marrë vendimin nga OShP-ja në korrik 2018 sepse ishte pasuar me dy ankesa tjera. Kështu që pason kontrata e pestë e negociuar tremujore në vlerë prej 382,396 euro”, thuhet tutje në Raport.

Kjo kontratë ishte për 60 mijë euro më e lirë se tri kontratat e para dhe kishte më pak kilometra se kontrata e katërt e negociuara, edhe kjo sipas ZKA-së, pa ndonjë arsyetim formal.

Ndërsa në dhjetor të vitit 2018, tetë muaj pas tenderit të fundit të hapur, KEK-u kishte shpallur tenderin e radhës për dy llotet për të cilat OSHP-ja tashmë kishte marrë vendim.

Mirëpo, ofertuesit kishin dorëzuar ankesë, pasi ishin të pakënaqur në vlerësim, ndërsa KEK-u për të siguruar për këtë shërbim gjatë kohës sa ankesa po shqyrtohej në OSHP, kishte nënshkruar një kontratë të negociuar në vlerë prej 325 mijë e 607 euro, për të dy llotet.

Ndërsa më pas vendimi i OSHP-së i kishte dhënë të drejtë KEK-ut për njërin llot, kurse tjetrin e kishte dërguar në rivlerësim.

Auditori thotë se vendimi kishte ardhur tek në muajin prill të vitit 2019, më shumë se tre muaj pas shpalljes së tenderit dhe pas skadimit të kontratës që e kishte nënshkruar tre muaj më parë.

Dhe për pasojë, KEK-u kishte dhënë edhe dy kontrata të tjera të negociuara në vlerë të përgjithshme prej 149 mijë e 386 euro. Njëra kontratë ishte me afat dy mujor dhe tjetra vetëm për një muaj.

Në total, Zyra Kombëtare e Auditimit bën të ditur se vlera e përgjithshme e kontratave të negociuara oër shërbime të transportit të punëtorëve të KEK-ut, ishte afër 2,4 milionë euro.

“Kontrata e parë e negociuar për tre muaj ishte negociuar me çmim mesatar 1.60 euro (1.51, 1.63 dhe 1.78 euro) për 92,100 km në muaj”, thuhet në Raport.

Auditori thotë se në vend të këtyre çmimeve të kontraktuara, KEK-u do të ta negocionte me operatorin ekonomik së paku çmimin mesatar të kontratës paraprake prej 1.23 euro, për tre muaj do të kurseheshin 100 mijë e 476 euro, ndërsa nëse KEK-u do të ndiqte deri në fund këtë parim, sipas Auditorit, kursimi në total për tetë kontratat e negociuara do të arrinte në 472 mijë euro.

“Mos njohja e çmimeve të tregut ishte bërë shkak për përcaktim jo të duhur të vlerës së parashikuar të kontratës që kishte çuar në anulim të tenderit që ishte pasuar me kontrata të negociuara. Shkak për numrin e madh të kontratave të negociuara ishte neglizhenca dhe papërgjegjësia e zyrës së prokurimit dhe njësive kërkuese”, thuhet në Raportin e ZKA-së.

Kjo, sipas ZKA-së, ka ndodhur sepse zyra e prokurimit e as njësia kërkuese nuk kishte bërë hulumtim të duhur të tregut për të vlerësuar kapacitetet e ofertuesve potencial, në mënyrë që të vendosë kërkesat e përshtatshmërisë profesionale të arritshme për operatorët ekonomik.

Raportin e plotë të Zyrës Kombëtare të Auditimit për KEK-un, mund ta gjeni KËTU.