Ndërtesa e Komunës së Vitisë - Foto: KALLXO.com

Auditori identifikoi mangësi tek inspektimi i objekteve në Komunën e Vitisë

Komuna e Vitisë brenda vitit 2021 nuk ka arritur të inspektoj 20 për qind të objekteve brenda territorit të saj, ashtu siç e kërkon ligji për tatimin në Pronën e Paluajtshme.

Kjo është gjetje e Zyrës Kombëtare të Auditimit për Komunën e Vitisë për vitin 2021.

Sipas ZKA-së, Komuna kishte arritur që brenda vitit të inspektoj vetëm 14 për qind të pronave, ani pse për të ndihmuar në veprimtaritë inspektuese ka mundur të angazhojë edhe inspektorë privat.

“Gjatë shqyrtimit të inspektimeve të bëra nga Komuna, janë vërejtur përpjekje domethënëse për inspektimin e pronave, ku anketuesit kanë arritur të inspektojnë 2,006 objekte apo rreth 14%. Megjithatë nuk është arritur kuota e kërkuar ligjore prej 20%”, thuhet në raporton e Auditorit.

Arsyetimi i Komunës ka qenë se ‘kjo ka ndodhur për shkak të mungesës së stafit të mjaftueshëm për kryerjen e inspektimeve’.

Sipas Auditorit, mos arritja e inspektimit të 20% të objekteve mund të rezultojë në ngarkesë të tepërt apo të pakët tatimore për tatimpaguesit, që në cilindo rast njëra palë potencialisht është e dëmtuar

Me gjetjet e ZKA-së është pajtuar Komuna e Vitisë, ndërsa ZKA ka dhënë rekomandim për kryetarin Sokol Haliti.

“Kryetari duhet të siguroj arritjen e verifikimit të 20% të pronave të paluajtshme në mënyrë që ndryshimet eventuale të pronave të integrohen në bazën e të dhënave për të reflektuar detyrimin e saktë tatimor”, thuhet në raport.

Raportin e plotë të auditimit të Komunës së Vitisë për vitin 2021 mund ta gjeni KËTU.