Inspektorati i Tregut u shqiptoi 20 gjoba bizneseve

Inspektorati i Tregut, bashkë me inspektorët e ATK-së, inspektorët komunal dhe Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike të Policisë së Kosovës, sot kanë kryer inspektime në të gjithë vendin, ku te disa biznese kanë hasur shkelje të ndryshme.

Sipas njoftimit, janë shqiptuar gjithsej 20 gjoba, 4 inicime të procedurës për kundërvajtje si dhe 9 sekuestrime.

“Gjatë inspektimit, janë shqiptuar gjithsej 20 gjoba, 4 inicime të procedurës për kundërvajtje si dhe 9 sekuestrime. Inspektimet do të vazhdojnë dhe në çdo rast kur konstatohen shkeljet, do të merren masa ndëshkuese”, thuhet në njoftimin e MINT.

KALLXO.com dje ka raportuar se janë mbyllur dy depo të supermarketëve në Fushë-Kosovë dhe Graçanicë janë mbyllur përkohësisht. Në njërën prej tyre janë gjetur 100 mijë shishe vaj ndërsa në tjetërn 26 mijë të tjera.

Zv/kryeinspektorja e Inspektoriatit të Tregut, Lebibe Haliti sot për KALLXO.com tha se kompensimi i qytetarëve të cilët kanë blerë produkte me çmime të larta është pjesë e aktiviteteve të Inspektoriatit.

“Jemi duke e konsultuar ligjin, edhe kjo do të jetë pjesë e aktiviteteve të inspektorëve. Ligji i Mbrojtjes së Konsumatorit e thotë, por jemi duke e konsultuar ende si bazë ligjore”, ka thënë Haliti për KALLXO.com.

Ditëve të fundit në Kosovë përveç çmimit të naftës është vërejtur rritje e çmimeve edhe të disa prej produkteve esenciale ushqimore.

Disa nga produktet që kanë rritje të çmimeve është vaji, sheqeri dhe mielli.

Vendosja e çmimeve të njëjta, për të njëjtin produkt të brendeve të ndryshme, paraqet marrëveshje dhe është e ndaluar me ligj.

Dje në Kosovë çmimi i vajit ka shkuar në 3.49 euro.