Pamje: Kontrollohet kompania e ndërtimit pasi u lëndua punëtori

Në emisionin “Kallxo Përnime” po shfaqen pamjet e aksionit të Inspektoratit të Punës në një kantier ndërtimi në rajonin e Mitrovicës.

Aksioni u zhvillua pas ankesës së një qytetari i cili kishte raportuar se ishte lënduar rëndë në vendin e punës dhe se lëndimi nuk ishte raportuar asnjëherë.

Për t’i verifikuar këto pretendime, koordinatori i Inspektoratit të Punës në Mitrovicë, Nexhat Fazliu angazhoi inspektoret e punës për realizimin e inspektimit.

Gjatë kontrollit inspektorët e zgjerojnë aksionin. Kontrolli fillon në kantierin ku dyshohet se kishte ndodhur lëndimi.

Gjatë kontrollit konstatohen parregullsitë e para. Vendi i punës është i pasiguruar, punëtorët janë duke punuar pa kontrata pune. Sipas Ligjit, punëtorët asnjë ditë nuk guxojnë të punojnë pa kontrata të punës.

Kjo bën që me vendim të Inspektoratit punimet në atë objekt të ndërpriten menjëherë.

Pas përfundimit të kontrollit në terren, inspektorët e punës nisen te pronari i biznesit të cilin e intervistojnë për lëndimin në vendin e punës.

Nga fillimi i vitit, KALLXO.com ka lansuar platformën për raportimin e shkeljeve të të drejtave të punëtorëve.

Mbi 100 raportime janë grumbulluar në javët e para prej kur platforma është lansuar dhe qytetarët kanë mundësinë të raportojnë.

Të drejtat e punëtorëve lidhen me kushtet e punës, kontratat e punës, pushimin e lehonisë, ushqimin, pagën e shumë të drejta që punonjësve që garantohen me Ligjin e Punës dhe kontratat e punës.