ATK vazhdon me kontrollet për punëtorë pa kontrata

 

Administrata Tatimore e Kosovës është duke vazhduar me kontrollet për punëtorë të padeklaruar nëpër bizneset e Prishtinës.

Dje gjatë ditës këtij kontrolli tatimor i është nënshtruar një biznes i taksive në Komunën e Prishtinës.

Qytetarët kishin raportuar në KALLXO.com, se ky biznes kishte të angazhuar rreth 140 punëtorë të cilët vozisin taksitë në këtë kompani.

Informacioni pretendonte se më shumë se gjysma e këtyre punëtorëve ishin të padeklaruar dhe të pa pajisur me kontrata pune.

Për verifikimin e këtyre informacioneve me urdhër të Drejtorit Rajonal të ATK-së, Besim Halili, u caktua një ekipë e inspektorëve.

Inspektorët dolën në terren dhe konstatuan gjendjen faktike e cila ishte në kompani.

Biznesit ju kërkua që brenda pak ditëve ta dorëzoje listën me emrat e plotë të punëtorëve të cilët janë të angazhuar në këtë kompani.

Kontrolle të ngjashme janë duke vazhduar nga ATK që nga koha kur Qeveria e Kosovës e miratoi pakon emergjente fiskale me të cilën pritet të ju dalë në ndihmë edhe mijëra punëtorëve në sektorin privat.

Javën e kaluar kontrollit për punëtorë të pajisur me kontrata pune iu nënshtruan një Auto parking i madh në Prishtinë dhe një kompani e Sigurimeve.

Pas kontrollit në kompaninë e sigurimeve, Administrata Tatimore konstatoi se nëntë punëtorë nuk ishin të pajisur me kontrata pune.

Mospajisja e punëtoreve me kontrata pune dhe mosdeklarimi i tyre janë shkelje e ligjit dhe janë të dënueshme sipas dispozitave të ligjit mbi Administratën Tatimore të Kosovës.

KALLXO.com inkurajon të gjithë ata të cilët nuk kanë kontrata pune të raportojnë në platformën tonë dhe në ATK.