Foto: KALLXO.com

Auditori gjen një ‘mal’ problemesh në Programin për Trajtim Jashtë Spitaleve Publike

Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur një varg problemesh në Fondin për Sigurime Shëndetësore, përkatësisht në Programin për Trajtimin e Pacientëve Jashtë Institucioneve Shëndetësore Publike.

Sipas raportit, keq-menaxhimi ndodhi në disa raste kur u mbështeten diagnoza të cilat nuk ishin në Udhëzimin Administrativ për Trajtim Jashtë Institucioneve Publike Shëndetësore.

E në disa raste të tjera, rastet ishin aprovuar ani se, diagnozat mund të shëroheshin në Klinikat e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.

Rezultatet e auditimit treguan se Fondi për Sigurime Shëndetësore së bashku me Bordin Ekzekutiv nuk ishin efektiv në procesin e menaxhimit të subvencionimit të pacientëve për trajtim jashtë institucioneve shëndetësore publike.

Gjithashtu, auditimi gjeti se trajtimi i pacientëve nuk ishte i barabartë, si gjatë aplikimit ashtu edhe gjatë aprovimit të kërkesave.

“Kishte vonesa në aprovim të lëndëve dhe po ashtu kishte vonesa në pagesë të tyre” – thuhet në raportin e ZKA-së të publikuar së fundmi.

Sipas raportit, Bordi Ekzekutiv nuk kishte konsistencë në vlerësimin e lëndëve dhe aplikimeve, duke shkelur edhe obligimet ligjore.

“Bordi Ekzekutiv kishte aprovuar lëndë në mungesë të dy pro-faturave dhe nuk ishte konsistent në shumat që kishte ndarë për mbulim të trajtimit duke mos respektuar kriteret e Udhëzuesit Administrativ” – gjeti ZKA gjatë auditimit nga viti 2019 deri në 2022.

Po ashtu, Bordi, sipas ZKA-së, kishte lëshuar vendime për lëndët të cilat nuk ishin në përputhje me afatet ligjore dhe ishin aprovuar lëndë si të rregullta në vend të atyre urgjente.

Fondi për Sigurime Shëndetësore, përkatësisht Programin për Trajtimin e Pacientëve Jashtë Institucioneve Shëndetësore Publike përkrah pacientët të cilët kanë nevojë për shërim jashtë institucioneve publike. Por, sipas Udhëzimit Administrativ QRK Nr. 03/2017 për Trajnim Mjekësor Jashtë Institucioneve Shëndetësore Publike, mbështetja bëhet përmes një liste e cila është në formë aneksi në fund të UA-së.

Gjatë periudhës 2019-2022, Bordi Ekzekutiv kishte aprovuar raste të cilat nuk ishin fare në listën e Udhëzimit Administriv. Të njëjtat, Fondi për Sigurime Shëndetësore i kishte paguar.

“Shuma e paguar për këto raste e identifikuar nga auditimi ishte 756,142 euro. Mirëpo kishte edhe raste të cilat i ka refuzuar me arsyetimin që diagnozat nuk janë pjesë e Udhëzuesit” – thuhet në raportin e ZKA-së.

Kjo praktikë, sipas auditimit, stimulon rritjen e aplikimeve me diagnoza që nuk janë në Udhëzim. Kjo formë, krijon hapësirë për trajtim jo të barabartë të pacientëve, thotë raporti.

Programi për trajtim jashtë institucioneve publike shëndetësore është i destinuar të financoj trajtimin e pacientëve për diagnozat të cilat nuk është e mundur të trajtohen në Institucionet Shëndetësore Publike në vend. Por, Auditori gjeti raste kur ishin referuar raste për të cilat mund të ofroheshin edhe në Klinikat e QKUK-së.

Por, ata kishin dhënë disa arsye për këto referime.

“Arsyet e mungesës së materialit, kushteve teknike dhe mungesën e resurseve njerëzore momentale” – thuhet në raport.

“Bordi Ekzekutiv edhe pse i kishte identifikuar si raste që mund të trajtohen brenda institucioneve, prapë se prapë kishin aprovuar këto kërkesa. Shuma e referuar dhe aprovuar nga mostrat e testuara ishte 844,779 euro” – thuhet tutje në raport.