Universiteti i Shkencave te Aplikuara, Ferizaj Foto: Gentiana Ahmeti, KALLXO.com

Auditimi i MAShTI-t: Për shumicën e drekave të organizuara nga Universiteti i Ferizajt nuk dihet arsyeja, as pjesëmarrësit

Auditori i brendshëm i Ministrisë së Arsimit në tetor të vitit 2021 ka audituar menaxhimin e buxhetit, shpenzimet, rekrutimin, paratë e gatshme dhe rekrutimin e stafit akademik dhe administrativ në Universitetin e Shkencave të Aplikuara në Ferizaj.

KALLXO.com ka siguruar raportin e auditorit të brendshëm të MAShTI-t për këtë Universitet, për periudhën kohore 1 janar 2020 deri më 30 shtator 2021.

Sipas raportit në Universitetin e Ferizajt disa nga vendimet e Këshillit Drejtues nuk janë në harmoni me dispozitat ligjore  dhe legjislacionin në fuqi.

Më 9 janar të vitit 2020 Këshilli Drejtues kishte miratuar rregulloren për veprimtari kërkimore-shkencore, e cila i lejonte ndarjen e mjeteve financiare në vlerë 1,000 euro për person, shpenzimet të cilat do t’i mbulonte UShAF-i.

Auditori kishte konstatuar  se “Përcaktimi i tarifave në emër të stimulimit të punonjësve nga ana e Këshillit Drejtues nuk ka bazë ligjore që i mbështet këto shpenzime me paratë publike”.

Drekat “anonime”

Analizat e bëra nga zyrtarët e prokurimit për mallra dhe shërbime në periudhën janar-shtator të vitit 2021 tregojnë se për shumicën e drekave zyrtare të paguara nga Universiteti i Ferizajt nuk dihet arsyeja e organizimit dhe personat të cilët kanë qenë pjesëmarrës.

Në njërën nga të gjetjet për shpenzimet e drekës zyrtare të datës 15 korrik 2021 bëhet e ditur se kanë qenë dy fatura në total prej 1 mijë e 138 euro.

“Janë dy fatura për drekë zyrtare që në total janë 1,138.00. E njëjta është ndarë në dy pagesa ku njëra faturë është vetëm pije në vlerë 349.30 euro dhe tjetra ushqim dhe pije në vlerë 789.20. Shmangie nga procedurat e prokurimit”, thuhet te gjetjet.

Në raportin përmbledhës të shpenzimeve del të jetë se Universiteti i Ferizajt ka shpenzuar 6 mijë e 741 euro nga fillimi i vitit deri në fund të shtatorit të vitit 2021.

Afër 19 mijë euro për laptopë, faturat nuk ekzistojnë

Më 16 mars të vitit 2021 Këshilli Drejtues i UShAF-it kishte marrë vendim për ndarjen e subvencioneve për personelin e rregullt dhe anëtarët e KD-së  në vlerë 18 mijë e 900 euro për blerjen e pajisjeve teknologjike.

“Gjatë ekzaminimit ne kemi konstatuar që në këtë subvencionim është përfshirë edhe stafi administrativ, gjithashtu në këto lëndë të testuara nuk ka kurrfarë fature që arsyeton blerjen  e laptopëve apo tabletëve”, thuhet në raport.

Tutje thuhet se UShAF nuk ka udhëzim administrativ për ndarjen e mjeteve buxhetore nga kategoria e subvencioneve dhe transfereve. Këto subvencionime KD i bën me një vendim pa përfillur asnjë procedurë të subvencionimit.

Mbushje të telefonit edhe për persona joadekuatë brenda UShAF-it

Në vitin 2020 për shpenzime të telefonit fiks UShAF kishte shpenzuar 992 euro, ndërsa për mbushje të telefonave kishte shpenzuar 12 mijë e 500 euro.

Ndërsa në vitin 2021 (janar-shtator) për telefonë fiks kishte shpenzuar 773 euro e 65 centë, kurse për të njëjtën periudhë për mbushjet të telefonave kishte shpenzuar 8 mijë e 460 euro.

Sipas raportit të audimitit shpenzimet e telefonisë fikse për vitin 2020 dhe 2021 nuk kanë tejkaluar limitin e lejuar.

“Sipas vendimit të Qeverisë në UShAF të drejtën për shfrytëzimin e mbushjeve tek disa punonjës është në kundërshtim me këtë vendim si p.sh. mbushje kishin shfrytëzuar: zyrtari ligjor, kryesuesi i parlamentit të studentëve, vozitësit e rektorit, koordinatori i mësimit, zyrtar për komunikim  dhe media, zyrtar për bashkëpunim ndërkombëtar”, thuhet në raport.

Në një përgjigje për KALLXO.com nga Universitetit i Ferizajt kanë thënë se janë pajtuar me të gjitha gjetjet që i ka bërë Auditori i brendshëm i MAShTI-t.

“Ju njoftoj se Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF) ka përfillur të gjitha rekomandimet e auditorit të brendshëm  dhe ka njoftuar auditorin për hapat që do të ndërmerren konform këtyre rekomandimeve”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Auditori ka sugjeruar që menaxhmenti i Universitetit të Ferizajt  dhe menaxhmenti i MAShTI-it të veprojnë për të korrigjuar dhe përmirësuar aty ku është e nevojshme në mënyrë që Universiteti publik i Ferizajt të vazhdojë në arritjen e objektivave.