Agron Bajraktari rizgjidhet Rektor i Universitetit të Ferizajt

Agron Bajraktari është rizgjedhur Rektor i Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj.

Lajmin e ka bërë të ditur UShAF-ja përmes një postimi në Facebook.

“Këshilli Drejtues i Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF), ka intervistuar sot kandidatët për rektor të Universitetit dhe me shumicë votash ka zgjedhur Prof. Dr. Agron Bajraktarin.”, thuhet në postim.

Agron Bajraktari është rizgjedhur rektor edhe për një mandat, pasi që i njëjti i kishte qenë rektor për katër vite në këtë Universitet që nga themelimi i tij.

KALLXO.com ka raportuar se Agron Bajraktari, rektor në Universitetin e Shkencave të Aplikuara në Ferizaj ka një pasuri që prek milionin sipas deklarimit në Agjencinë Kundër Korrupsionit.

Bajraktari kishte deklaruar se përves punës si rektor në USHAF, ishte edhe 50 përqind aksionar i biznesit  ‘Bajraktari’, për të cilin kishte deklaruar se ka vlerë kapitale prej 2 milionë e 165 mijë e 500 euro.

Sipas këtij deklarimi ai posedon një banesë 90 mijë euro, një shtëpi 50 mijë euro dhe një  shtëpi tjetër në vlerë prej 220 mijë euro.

Ai po ashtu ka dy vetura njëra në vlerë prej 9 mijë euro, tjetra 14 mijë euro

Bajraktari ka deklaruar të hyrat vjetore, ku si duket e ka përshkruar rrogën mujore si rektor që është 2 mijë e 581 euro e 15 cent.