Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Arsyetimi i kabinetit të Hysenit për shkurtimin e orarit të punës për zyrtarët që agjërojnë

Vendimi i kryetarit të Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni për zvogëlimin e orarit të punës për një orë më pak për zyrtarët që agjërojnë është arsyetuar si ‘lehtësirë’ nga këshilltari për media, Besart Selimi.

Në një prononcim për KALLXO.com, Selimi ka thënë se një vendim i tillë ka qenë iniciativë vet kryetarit dhe jo ndonjë kërkesë nga ndonjë drejtori.

“Nuk është ndryshim i orarit por vetëm lehtësirë për një orë duke e pasur parasysh vështirësinë e agjërimit e orarit të hershëm të syfyrit. Kjo është një praktike që është praktiku edhe vitin e kaluar dhe po besoj që praktikohet edhe në shumë institucione të tjera” – tha ai.

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni ka nxjerrë vendim që për muajin e ramazanit, zyrtarët që agjërojnë të punojnë një orë më pak.

Më vendimin e nxjerrë më 23 mars, Hyseni i ka obliguar drejtoritë që të mbajnë evidencë për stafin që agjërojnë.

Vendimi ka hyrë në fuqi nga data 24, dhe do të jetë në fuqi deri më datën 20 prill.

Muaji i ramazanit në Kosovë ka filluar më 24 mars dhe do të zgjas deri më 20 prill.

Sipas vendimit, orari i punës do të filloj nga ora 9:00 dhe do të zgjas deri në orën 16:00.

Vendimi i kryetarit Hyseni në Gjilan – 1 orë më pak punë për ata që agjërojnë