Arsyetimi i Apelit për kthimin në paraburgim të Ilir Abdullahut, i dyshuar në rastin e vrasjes së Triumf Rizës

Ilir Abdullahu i njohur me nofkën ‘Liza’, i dyshuar për vrasjen e Triumf Rizës, arratisjen e tij për 15 vite nga organet e drejtësisë e kishte arsyetuar si rast të montuar edhe përfshirjen e tij si i dyshuar në rastin e vrasjes së policit Riza.

”Më është dukur e kotë me shku me flejtë në burg për arsye se në pallatin e drejtësisë e din i madh e i vogël që ky rast është montim” – kishte deklaruar Abdullahu në seancën dëgjimore.

Deklaratë e cila ishte përdorur nga Prokuroria për ta aktakuar vendimin e themelores për zëvëndësimin e masës së paraburgimit në atë të dorëzanisë për Ilir Abdullahun, lidhur me sjelljen e mëparshme të të pandehurit.

Gjykata e Apelit, më 3 nëntor 2023 e ka kthyer në paraburgim Ilir Abdullahun i njohur me nofkën ‘Liza’, i dyshuar për vrasjen e policit Triumf Riza.

Ky vendim është marrë nga kolegji i përbërë nga gjyqtarët, Bashkim Hyseni – kryetar i kolegjit, Afërdita Bytyçi dhe Vaton Durguti – anëtarë.

Abdullahu apo ndryshe ‘Liza’ ishte liruar nga paraburgimi nga Gjykata e Prishtinës pasi kishte kishte dhënë 100 mijë euro dorëzani.

Por, Apeli e ka miratuar ankesën e Prokurorisë, e cila ishte ankuar ndaj vendimit të Gjykatës Themelore.

Lajmin për kthimin në paraburgim të Ilir Abdullahut për KALLXO.com e kishte konfirmuar gjykatësi i çështjes, Kujtim Krasniqi.

Ilir Abdullahu kishte qenë në kërkim të Policisë për afër 15 vite. Ai ra në pranga më 16 korrik 2023.

Në arsyetimin e gjykatës së Apelit, thuhet se në ankesën e Prokurorisë Speciale, prokurorit të rastit Shpëtim Peci, pretendohet se aktvendimi për masën e dorëzanisë është në shkelje të dispozitave të procedurës penale.

Kjo për faktin se për caktimin e kësaj mase, duhet të ekzistoj dyshimi i bazuar dhe se baza e vetme është rreziku i ikjes andaj prokuroria ka vlerësuar se nuk janë plotësuar kushtet ligjore për caktimin e masës së dorëzanisë ndaj të njëjtit.

Sipas vendimit, i pandehuri Ilir Abdullahu prej vitit 2007, e deri kur është arrestuar ka qenë në arrati, prej një periudhe kohore prej 15 viteve, edhe për kundër që janë ndërmarrë të gjitha veprimet procedurale me qëllim që të sigurohet prania e të njëjtit në procedurë.

Tutje, në arsyetimin e Apelit thuhet se nëse i pandehuri lirohet nga masa e paraburgimit do të përsëriste veprime të kundërligjshme duke u bazuar edhe në raportin për të kaluarën kriminale, peshën e veprës penale – vrasje e rëndë e kryer në bashkëkryerje, si dhe kushtin tjetër ligjor që përcakton detyrimin e të pandehurit se i njëjti nuk do të fshihet apo do ta braktis vendqëndrimin.

Gjykata e Apelit ka vlerësuar se ankesa e PSRK-së është e bazuar dhe se gjykata e shkallës së parë nuk ka dhënë arsye të mjaftueshme lidhur me proporcionalitetin dhe përshtatshmërinë e kësaj mase.

Andaj edhe zëvëndësimi i masës së paraburgimit me masën e dorëzanisë në vlerë prej 100 mijë euro për të pandehurin nuk është i drejtë dhe i ligjshëm dhe se të pandehuri Abdullahu duhet të kthehet në masën e paraburgimit.

Ilir Abdullahu, i njohur si “Liza”, dyshohet për veprën penale – vrasje e rëndë që ishte kryer më 30 gusht të vitit 2007 në Prishtinë, ku i vrarë kishte mbetur Triumf Riza që shërbente si polic në Shërbimin Policor të Kosovës.

Në drejtim të Rizës u gjuajtën 11 plumba nga Arben Berisha, dhe tre nga ta e goditën duke e plagosur për vdekje.

I njëjti që nga arrestimi ka qenë në paraburgim, përderisa më 3 tetor 2023 avokati i tij, Ramë Dreshaj, kishte paraqitur kërkesën për zëvendësimin e masës së paraburgimit me atë të dorëzanisë në shumë prej 50 mijë euro ose më shumë.

Cili ishte roli i Ilir Abdullahut në vrasjen e Triumf Rizës, sipas Prokurorisë?

Akuza e Prokurorisë Speciale që është ngritur ndaj Enver Sekiraqës, pretendon se Arben Berisha për të kryer aktin në fjalë u nxit nga Sekiraqa, e ky i fundit Berishën e kishte njeri të besueshëm.

Po ashtu akuza pretendon se Arben Berisha privimin nga jeta të Rizës e kishte bërë në bashkëkryerje me Rrahim Abdullahun, Ilir Abdullahun dhe me Fitim Avdiun.

Në akuzën e parë me të cilën ngarkohet i pandehuri Enver Sekiraqa, në të cilën shpjegohet në detaje se si kishte ardhur deri te vrasja e Triumf Rizës, tregohet edhe roli që kishte Ilir Abdullahu që u arrestua 15 vite më pas.

Dosja e siguruar nga KALLXO.com thotë se katër të akuzuarit vrasjen e Rizës e kanë bërë në mënyrë shumë mizore dhe mashtruese për shkak të një hakmarrjeje të paskrupullt apo ndonjë motiv tjetër.

“Respektivisht hakmarrje personale kundër të përmendurit Triumf Riza” – thuhet në akuzë.

Akuza shpjegon se si para vrasjes, grupi në fjalë, pra katër të akuzuarit, kanë bashkëpunuar mes vete dhe kanë përcjellë lëvizjet e Rizës me qëllim që të ndiqnin rrugët e tij. Ishte po ajo ditë kur Ilir Abdullahut i kishte ardhur mesazhi “Komshiu e ka makinën në parkingun e Grandit”.

Ky mesazh ishte dërguar në telefonin e Ilirit nga Fitim Avdiu, gjatë kohës kur ai së bashku me Enver Sekiraqën, Arben Berishën dhe Rrahim Abdullahun ishin në kafenenë “Sekiraqa” në bulevardin “Bill Clinton”.

Ky mesazh, sipas akuzës që është siguruar nga KALLXO.com, i referohej viktimës Triumf Riza, banesa e të cilit thuhet se ishte në anën e kundërt të rrugës ku gjendej kafeneja “Sekiraqa”, e i cili në atë kohë gjendej në hotelin “Grand” të Prishtinës.

Me të pranuar këtë SMS, akuza thotë se Arben Berisha, Rrahim Abdullahu dhe Ilir Abdullahu, duke e vozitur makinën e këtij të fundit, që ishte e tipit “Passat”, kanë shkuar në kafenenë “Queens”.

Në këtë kafene, Arben Berisha u tha se është futur i armatosur me ‘Glock’, përderisa dy të tjerët, pra Rrahim e Ilir Abdullahu vazhdojnë në një kafene tjetër me qëllim që ta prisnin Triumf Rizën.

Po ashtu, akuza thotë se pretendohet se Enver Sekiraqa e kishte orkestruar vrasjen e Triumf Rizës, duke e organizuar bandën e tij që ta ndiqnin Triumf Rizën dhe duke e nxitur Arben Berishën, i cili ishte personi i tij i besuar brenda grupit që të shtinte të shtënat e vrasjes.

Triumf Riza tregohet se asnjëherë nuk kishte pasur ndonjë problem me Arben Berishën, por vetëm me Enver Sekiraqën.