Arsenijeviq tregon si ndihen qytetarët serbë të veriut këto ditë

Aleksandar Arsenijeviq, themelues i iniciativës qytetare “Mbijetesa Serbe”, ka thënë se qytetarët serbë në veri nuk ndihen të sigurt.

Në emisionin ‘Kallxo Përnime’ Arsenijeviq, ka sjellë fotografi të Policisë së Kosovës në veri, duke thënë se nuk u japin ndjenjë sigurie serbëve të veriut.

“Qytetarët serbë kur i shohin të gjitha këto në rrjete sociale nuk ndihen të sigurt. Paramendojeni një polic serb në Prishtinë, në Graçanicë, t’i ngrejë 3 gishta, do ta varnin” – tha ai.

Ndërsa i pyetur përse nuk ka sjellë fotografi të serbëve me maska, që kanë sulmuar gazetarët,  Arsenijeviq ka thënë se nuk ka mundur t’i gjejë.

“Po t’i kisha gjetur do t’i kisha pru.. po ka.. unë nuk e arsyetoj dhunën. Unë po ju flas si ndjehen qytetarët, po ju transmetoj çfarë po ndodhë, pra askush nuk ndihet i sigurte” – tha ai.

Gjatë ditës së djeshme, dhjetëra serbë kanë protestuar afër pikës kufitare në Jarinjë (brenda territorit serb) “në mbështetje të serbëve të Kosovës”.

Disa prej tyre kanë tentuar t’i afrohen pikës kufitare, por janë penguar nga forcat e Njësive Speciale të Policisë serbe.

Ndërkaq, në pikën kufitare të Jarinjës gjendeshin policët e Kosovës, e pak metra më në brendi të territorit të Kosovës forcat e KFOR-it kishin vendosur një postbllok dhe tela me gjemba.

Situata në veri të Kosovës është e tensionuar që nga 10 dhjetori.

Atë ditë, grupe qytetarësh serbë janë mbledhur në qytetet në veri të vendit për të protestuar kundër arrestimit të Dejan Pantiqit, ish-polic i Kosovës, i akuzuar nga autoritetet e Kosovës për organizim të sulmeve kundër zyrtarëve të KQZ-së dhe të Policisë së Kosovës.

Grupet e serbëve, pjesë e të cilëve janë edhe persona me maska e madje edhe me armë, kanë bllokuar rrugët kryesore drejt pikave kufitare Jarinjë dhe Bërnjak.

Për çështje sigurie, Policia e Kosovës ka mbyllur për qarkullim këto dy pika kufitare.