Arsenijeviq publikon videon nga komunikimi me Njësinë Speciale pasi kërkon të incizojë vendin ku ndodhi incidenti

Aleksandar Arsenijeviq, kryetar i Iniciativës Qytetare “Mbijetesa e serbëve” ka shpërndarë një video në faqen e tyre në Facebook në të cilën shihet ai duke biseduar me dy pjesëtarë të Njësisë Speciale në urën e Bistricës, në vendin ku një qytetar mbeti i plagosur.

Arsenijeviq i shoqëruar me një kameraman fillon të bisedojë me Njësinë Speciale duke iu treguar se dëshiron të xhirojë kamerat të cilat mund të kenë incizuar ngjarjen mbrëmë.

Në video, dy policët dëgjohen duke i kërkuar atij që mos të incizojë.

Arsenijeviq iu thotë se “për sigurinë e tij” nuk mund ta largojë telefonin.

“Këtu, sipas pretendimeve një burrë ka mbetur i plagosur. Për sigurinë time, nuk mund ta largojë telefonin. Kameramani mund të largohet pak. Kjo është një hapësirë publike, ligji ma lejon të filmoj” – thotë ai.

Policët i thonë se nëse dëshiron të xhirojë, atëherë mund të shkojë në stacionin policor, dhe vetëm inicizim nga një distancë i lejojnë.

“Merre letërnjoftimin, prej qatjeshit mundesh” – i thonë policia-aktivistit Arsenijeviq.

“A mundem me kalu vetëm, i vendosi edhe duart lartë” – vazhdon Arsenijeviq.

Policët insistojnë se telefonin duhet ndalur, dhe se kështu ai mund të shkojë “ku të dojë”.

“Shko në stacion ata të dhënë informacionet që po i kërkon” – përsërit policia.

Pamjet vazhdojnë pasi ai kalon disa metra tutje dhe tregon se ekziston një kamerë e cila mund të ketë xhiruar incidentin e mbrëmshëm.

“Këtu është një kamerë. Gjithëçka këtu është në vëzhgim. Dhe nëse Qeveria e Kosovës dëshiron, për hir të sigurisë së qytetarëve, munden me i publiku menjeherë ato inicizime. Po kthehemi tash”- thotë Arsenijeviq drejtuar kamerës.

Pasi kthehet, Njësia Speciale i ndalon sërish duke iu kërkuar letërnjoftimet dhe që telefonat të i ndalin “menjëherë”.

Pas kësaj, në video thuhet se incizimet i kanë kryer fshehurazi.

“Siç e patë, u ndaluam për herë të dytë. Na kontrolluan. Ne mbajtëm duart lartë, që ata mos të dyshonin që ne dëshirojmë të bëjmë diçka keqdashëse. Dhe më në fund shkojmë. Unë mendoj që qëllimi që ne kapëm nga KFOR dhe EULEX që kaloi, është se arsyeja që ne kuptuam nga pikë kontrolli ishte i lehtë” – thotë Arsenijeviq.

Çka ndodhi në Leposaviq dhe si u plagos qytetari?

Në orët e vona të mbrëmjes së 10 prillit një qytetar dyshohet se ishte plagosur me armë zjarri deri sa po udhëtonte drejtë Leposaviqit.

Nga plagët e marra nga një plumb, qytetari më pas ishte shtruar edhe në spital ku është duke marrë trajtim mjekësor.

Fillimisht Policia e Kosovës kishte thënë se në plagosjen e qytetarit nuk kishte qenë e involvuar policia apo zyrtarë policorë.

Tutje pas një hetimi intensiv doli se në këtë rast në fakt është e përfshirë edhe policia më saktësisht katër zyrtarë policorë.

KALLXO.com raportoi mbrëmë se zyrtarët policorë fillimisht e kishin mohuar se kishte pasur gjuajtje me armë e më pas e kishin konfirmuar atë.

Sipas informacioneve që posedon KALLXO.com, policët kishin thënë se qytetari nuk ishte ndaluar për kontrollë dhe ishte larguar e më pas ka pasur edhe gjuajtje me armë.

Policia e Kosovës njoftoi se menjëherë pasi ishin ngritur dyshimet për përfshirjen e zyrtarëve policorë në rast, të njëjtit janë suspenduar nga detyra.

Për rastin ishte njoftuar edhe Inspektorati Policor i Kosovës.

Pas intervistimit të katër zyrtarëve policorë, IPK i kishte arrestuar të njëjtit dhe ata aktualisht janë duke mbajtur vendimin për ndalim për 48 orë.

Sot, dhjetëra qytetarë kanë dalë në Basnjkë në pjesën e veriut të Mitrovicës si shenjë revolte e situatës së krijuar pas plagosjes së një qytetari nga një zyrtar policor i dyshuar.

Ata janë grumbulluar rreth një kilometër larg pikës statike të Policisë së Kosovës, pikë kjo e vendosur muaj më parë.