VIDEO - Dyshohet se nuk respektoi urdhrat e policisë, Aleksandar Arsenijeviq shoqërohet në polici

Aleksandar Arsenijeviq, kryetar i Iniciativës Qytetare “Mbijetesa serbe”, është shoqëruar për në stacion policor për intervistim.

Kjo ka ndodhur gjatë ditës së sotme pasi që i njëjti dyshohet se nuk respektoi urdhrat e zyrtarëve policorë.

Lajmin e ka konfirmuar edhe zëvendësdrejtori i Policisë në veri të Mitrovicës, Veton Elshani.

“Po është shoqëruar në polici, është dërguar në stacion, për mosrespektim të urdhrit të zyrtarëve policorë” – ka thënë Elshani për KALLXO.com.

Në faqen zyrtare të Arsenijeviq, ai kishte publikuar disa video në të cilat shihet i njëjti duke biseduar me disa zyrtarë policorë.

Të njëjtit i kishin kërkuar Arsenijeviqit të largohej nga një hapësirë ku ishte ndalur me veturë, e që i njëjti kishte refuzuar duke thënë edhe se nuk është në komunikacion dhe nuk po pengon trafikun.

“Kush jeni ju që jashtë trafikut po më ndaloni mua, në pronën time” – i drejtohet Arsenijeviq zyrtarëve policorë, ndërsa një zyrtar i kthen përgjigje që i njëjti duhet të respektoj urdhrat e policisë.

Në video dëgjohet edhe se si Arsenijeviq i thotë zyrtarëve policorë se u ka ofruar dokumentet identifikuese të tij ndërsa disa herë u drejtohet zyrtarëve policorë se mund ta arrestojnë.

Ai i është drejtuar policëve se vetura në të cilën gjendej nuk punon.

Policët në video dëgjohen duke i thënë Arsenijeviqit se “ju pamë duke ardhur këtu, ne e dimë që vetura nuk është e jotja dhe është pa regjistrim”, ndërsa tutje dëgjohet i njëjti duke thënë se nuk mund të parkohet në trotuar.

Policët i kërkojnë Arsenijeviqit, që të shoqërohet në stacion për t’u intervistuar ndërsa i drejtohen se duhet të marrë mjetet identifikuese të gjitha me vete e Arsenijeviq vazhdon tu thotë të njëjtëve se është në trotuar.

Në bazë të videove të publikuara, Arsenijeviq u ka dhënë policëve mjetin e tij identifikues por jo edhe dokumentet e veturës duke u referuar se nuk është vozitësi.

Tutje zyrtarët policorë i kërkojnë Arsenijeviqit që të dalë nga vetura, e kontrollojnë dhe më pas e shoqërojnë në stacion policor.