Arsenijeviq: Në drejtim të ushtarëve të KFOR-it u hodhën petarde

Aleksandar Arsenijeviq, kryetar i Iniciativës Qytetare “Mbijetesa serbe”, në emisionin “Kallxo Pernime”, ku po diskutohet për situatën në veri, ka thënë se në drejtim të pjesëtarëve të KFOR nuk janë hedhur bomba por petarde.

Sipas tij, është e pamundur që qytetarët të kenë shok-bomba duke insistuar që krismat e dëgjuara sot në Zveçan janë mjete piroteknike.

“Gjithandej në Prishtinë mund të blihen petarde dhe mund të dëgjohen shumë. Nëse jemi duke përdorur termin shok-bomb atëherë ajo nuk është e mundshme sepse shok-bombë posedojnë vetëm personat e specializuar, policia, ushtria. Sipas meje, këto janë gurëz, janë petarde me kërsitje të mëdha, janë shishe dhe çfarëdo që njerëzit kanë mundur të gjejnë”- tha ai, duke folur për mjetet me të cilat u sulmuan ushtarët e KFOR-it nga protestuesit serbë në Zveçan.

Arsenijeviq ka dhënë detaje për gjendjen e qytetarëve serbë që janë lënduar sot gjatë konfrontimit në Zveçan.

“Kryesisht një pjesë e protestuesve nuk shkon asnjëherë në spital, nuk dëshirojnë të shënohen dhe nesër të akuzohen për pjesëmarrje në protestë. Ne kemi një informatë që drejtori i spitalit në Beograd ka dalë më një informatë për 52 të lënduar, dy më rëndë dhe një për të cilin është në rrezik për jetë”- tha ai.

Raportimet e KALLXO.com mbi veriun mund ti ndiqni në këtë link.