Shqiptarë e serbë të zhgënjyer me aneksin e marrëveshjes Kosovë-Serbisë

Më 18 mars, Kosova dhe Serbia në Ohër të Maqedonisë së Veriut u dakorduan për aneksin e zbatimit të Marrëveshjes drejt normalizimit të marrëdhënieve.

Palët nuk e nënshkruan marrëveshjen, por BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara janë deklaruar se pavarësisht se nuk është firmosur, ajo është marrëveshje e obligueshme për palët.

Marrëveshja, prej 11 nenesh, nuk përmend në mënyrë specifike njohjen e ndërsjellë. Megjithatë, dokumenti kërkon nga të dyja vendet që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe target.

Dokumenti kërkon, gjithashtu nga palët që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, të cilin Qeveria e Kosovës e ka refuzuar deri më tash, me arsyetimin se mund të rrezikojë funksionalitetin e shtetit.

Ajo që planifikohet për fund është se BE-ja i ka kushtëzuar palët që nëse nuk i implementojnë marrëveshjet proceset e integrimit do stopohen e bashkë me to edhe fondet e BE-së.

Aneksi i marrëveshjes u publikua nga BE por ende nuk dihet kur do nisë zbatimi si do shkojë procedura dhe kur do del ky dokument për miratim në kuvendet përkatëse.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, teksa ka folur për implementimin e marrëveshjes së dakorduar në Ohër, ka thënë se pret që Serbia ta zbatojë marrëveshjen edhe pa e nënshkruar atë.

Kurti ka thënë se Serbia është dakorduar që ta zbatojë.

Sipas tij, fakti që mungon nënshkrimi nga ana e Serbisë tregon “se kush është Beogradi”.

“Serbia është dakorduar që do ta zbatojë. Ne po presim që ta zbatojë edhe pa e nënshkruar. Presidenti i Serbisë ka konsideruar që ka marrëveshje, ndërmjetësit kanë thënë se ka marrëveshje, unë po them se ka marrëveshje. Fakti që mungon nënshkrimi flet se kush është Beogradi zyrtar, jo nëse ka apo s’ka marrëveshje. Marrëveshje ka”- ka thënë Kurti.

Ndërsa Bashkimi Evropian ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia që të përmbahen nga vlerësimet të cilat mund ta prishin atmosferën në dialog, dhe thotë se shpreson që ajo që ka ndodhur ditëve të fundit në veri të Kosovës nuk do të ndikojë në takimin e kryenegociatorëve të Prishtinës dhe Beogradit, të martën(4 Prill) në Bruksel.

Kështu tha gjatë një konference për media zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi dhe shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, u takuan në Bruksel për të “diskutuar për hapat e ardhshëm në zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, kanë thënë zyrtarët evropianë.

Në emisionin #KallxoPernime u diskutua rreth takimeve në mes të kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandër Vuçiq.

Aleksandar Arsenijeviq, nga ‘Mbijetesa Serbe’, ka thënë se me këtë aneks serbët nuk përfitojnë asgjë.

“Pritjet kanë qenë shumë më të mëdha se që është paraparë me këtë aneksin, sepse thënë thjesht, me këtë aneks nuk përfitojmë asgjë. Ky aneks është thjeshtë një letër e cila i është shfaqur publikut me plot mangësi të veta, dhe vazhdon të dëshmojë jo-transparencën e Brukselit dhe dokumenteve të tyre lidhur me bisedimet, për të cilat ne, thjesht, nuk dimë gjë fare. Çka është me rëndësi, lidhur me nënshkrimin nga presidenti Vuçiq, mendoj se arsyetimi i tij është vetëm për publikun e brendshëm. Mendoj se meqë ai e ka pranuar këtë marrëveshje nuk është e domosdoshme që marrëveshja të jetë e nënshkruar”, ka thënë Arsenijeviq.

Për më tepër ai ka thënë se dyshon që në themelimin e Asociacionit dhe se do të ketë kapacitet të plotë.

“Mendoj se takimi maratonik i 18 marsit ka pas për qëllim vetëm zbutjen e disa tensioneve, dhe se kanë arritur tek një lloj mesatare. Në bazë të asaj që tha z. Eskobar në Beograd lidhur me Asociacionin e Komunave Serbe, mendoj se nuk do të ketë kapacitet të plotë, por është arritur një lloj mesi që situata në terren të zbutet, të qetësohet situata, me parimin ‘të nënshkruajmë çkado qoftë vetëm le të qetësohet gjendja”, ka thënë Arsenijeviq

Emilija Rexhepi, zv. Kryeministre në Qeverinë e Kosovës ka thënë se nuk qon peshë nëse ka apo s’ka nënshkrim por sipas saj, nëse të dyja palët janë të sinqerta,

dhe palët janë tani nën monitorimin e BE-së dhe të SHBA-ve, me afat të

caktuar për të cilin të dyja palët janë zotuar se do ta respektojnë.

“Me rëndësi është që të dyja palët janë dakorduar se nuk do ta pengojnë Kosovën në rrugëtimin drejt BE-së, se Serbia nuk do ta stagnojë Kosovën në anëtarësim në Këshillin Evropian dhe në BE, gjë që për neve është shumë me rëndësi. Republika e Serbisë në të kaluarën përfitonte miliona të shumta nga Evropa ndërkaq ne nuk kishim mundësi si shtet të përfitonim nga ato fonde, krejt pak dhe atë vetëm në vitet e fundit”, ka thënë Rexhepi.

Ndërsa edhe PDK edhe njëherë është shprehur kundër këtij aneksi të marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë.

Ganimete Musliu nga PDK-ja ka thënë se marrëveshja si e tillë është komplet e papranueshme.

Sipas Musliut, marrëveshja nuk e ka në qendër njohjen e shtetësisë së Kosovës nga ana e Serbisë.

“Kurti në Bruksel tha se e ka pranuar planin franko-gjerman ndërsa para dy dite tha se është pajtuar edhe me aneksin e kësaj marrëveshjeje. Me këtë, Albin Kurti i pranoi të gjitha ato që ishte zotuar se nuk do ti pranojë asnjëherë”, ka thënë Musliu.

Ajo ka shtuar se ‘etja e Kurtit që të ketë një vend në historinë e vendit’, e ka bërë atë që të jetë gjithmonë kundër interesave shtetërore.

“Serbëve të Kosovës, me këtë marrëveshje i garanton një miniserbi, ose thënë ndryshe e ka sjell Serbinë në Kosovë”, ka thënë Musliu.

Por çka është vetëmenaxhimi? 

Deputeti i Vetëvendosjes, Armend Muja ka thënë se Brenda 30 ditëve duhet të definohet se çka do të thotë vetëmenaxhim.

“Vetmenaxhimi ishte njëra nga pikat e kësaj marrëveshjeje. Në dy pika është se çfarë përfiton komuniteti serb në Kosovë, kjo është e tëra. Serbia nuk do ta pengoj Kosovën në arenën ndërkombëtare dhe kjo po ndodh për herë të parë dhe ofrohet me këtë marrëveshje, për herë të parë integrimi në BE dhe Serbia njeh simbolet e shtetit t ë Kosovës”, ka thënë Muja.

Sipas Mujës, Vuçiqi nuk e ka nënshkruar marrëveshjen për arsye se si ka pëlqyer përmbajtja e saj, krahasuar me të kaluarën kur i kishin pëlqyer në kohën e Isa Mustafës.

“Ai ka nënshkruar marrëveshje me Kosovën në të kaluarën ka nënshkru tri marrëveshje. Por kjo si ka pëlqy nëse do të ishte Zajednica aty qysh po thotë opozita atëherë ai do ta nënshkruante”, ka thënë më tej Muja

Sipas tij, Vetëvendosja këtë e konsideron njohje de-facto të shtetësisë së Kosovës nga ana e Serbisë.

“Vetëmenaxhim do të thotë që nuk ka institucione të cilat do ti shërbejnë vetëm një etnie të caktuar, e dyta nuk ka kompetenca ekzekutive të cilat janë paraprarë, në Kosovë i kemi dy nivele të qeverisjes, Qeveria dhe Komunat dhe rrjedhimisht s’ka kompetenca ekzekutime”, ka thënë Muja.

Ndërsa Ganimete Musliu nga PDK-ja ka insistuar që me këtë Vetëvendosje po e krijon një ‘Serbi të vogël’, në Kosovë.

Ndërsa kjo është kundërshtuar edhe nga zv/kryeministrja Emilja Rexhepi e cila ka thënë se kjo marrëveshje ende nuk ka përfunduar dhe se është në proces e sipër.

“Të dyja palët, edhe e Kosovës edhe ajo e Serbisë janë obliguar që të formojnë grupe punuese në afat prej 30 ditësh për të përgatitur projekt-kornizën se si do të duket kjo, nën patronatin e BE-së. Së shpejti qeveria do të formojë ato…”, ka thënë Rexhepi.

Aleksandar Arsenijeviq, nga ‘Mbijetesa Serbe’, ka thënë se e vetmja bashkëjetesë mes shqiptarëve e serbëve është në komunat me shumicë serbe.

“Në qytetin tuaj, në komunën tuaj, në pjesën jugore të Mitrovicës, sa serbë, sa familje serbe jetojnë aty. Ju tregoj unë tani. Zero! Jeton një prift në një kishë e rrethuar me tela gjemborë. Nëse po flasim për strukturat shumetnike e monoetnike të komunave serbe, kjo nuk është fare e vërtetë. Edhe bashkëjetesa e vetme qe po ndodhë mes serbëve e shqiptarëve është pikërisht në komunat serbe, komunat serbe! Aty jetojmë bukur. Nuk jetojmë bukur bashkërisht as në Gjakovë, nuk jetojmë bukur në Deçan, nuk jetojmë bukur as në qytetet tjera”, ka thënë Arsenijeviq.

Në anën tjetër Musliu nga PDK-ja ka thënë se serbët nuk janë të përndjekur në Kosovë.

“Mund të ketë raste individuale por askush nuk ja ndalon serbëve që të jetojnë në jug të Mitrovicës. Serbët e Kosovës kanë të drejta shumë, tregom qysh jetojnë shqiptarët e Luginës së Preshevës, mua më vjen keq që ata nuk janë përfshirë në këtë marrëveshje”, ka thënë Musliu.

Shoqëria civile në veri kërkon që asociacioni të jetë multietnik.

Dusan Radakoviq, nga ACDC, në emisionin #KallxoPernime ka thënë se Asociacioni nuk mund të jetë monoetnik, i përbërë vetëm nga serbët.

Ai ka shtuar se Asociacioni duhet të përfshij edhe boshnjakë, goranë, ashkalinj, të gjithë duhet të jenë, edhe shqiptarët në veri.

“Natyrisht, çdo kund, në Kllokot, në Novobërdë, ku janë mbi 30 për qind shqiptarë, duhet të Asociacion i të gjithëve. E dyta, një gjë që po e harrojmë të gjithë, Kushtetuta e Kosovës  dhe Ligji për vetëqeverisjen lokale lejojnë bashkimin e komunave për interesa të përbashkëta… Ne edhe tani e kemi një Asociacion të Komunave! Është me rëndësi kjo. Këtu problemi është vetëm të mënyra e ligjshme e financimit nga Serbia dhe që këto mjete të jenë transparente përmes Thesarit të Kosovës”, ka thënë Radakoviq.

Sipas tij, nuk do të ketë vendime të këtij Asociacioni apo Bashkësie, të drejtuara qëllimisht kundër shqiptarëve, apo kundër ashkalinjve apo kundër egjiptianëve.

“Këtë nuk e shoh unë dhe këtë askush nuk e ka thënë kurrë”, ka thënë më tej ai.

Enis Dërguti nga LDK-ja ka folur për aneks marrëveshjen për të cilën ka thënë se këto 11 pika të saj janë shumë të përgjithshme.

“Tani ku është manuali, çka përmbajnë ato preambula përbrenda. Deri tash ka qenë lehtë. Ka lënë shumë vend për shumë pyetje’, ka thënë Dërguti.

Këtë marrëveshje ai ka thënë se e sheh edhe nga ana politike, pasi sipas tij nëse Serbia do të nënshkruante çfarëdo lloj marrëveshje me Kosovën, partia e Vuçiqit do të bie nga pushteti.

“Vuçiqi mbahet me temat e Kosovës, prapë s’ka me pas marrëveshje, sepse si konvenon”, ka thënë më tej Dërguti.

Ndërsa Ganimete Musliu nga PDK-ja ka pyetur Armend Mujën për gjendjen e sigurisë në veri të vendit, kur është koha që do të organizohen zgjedhjet për kryetar komunash.

“Qysh ki me i mbajt zgjedhjet tash që erdh koha”, ka pyetur Musliu.

E Muja ka thënë se kjo është sfidë reale.

E Lista Serbe, partia udhëheqëse e serbëve të Kosovës, kishte njoftuar se nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme të jashtëzakonshme lokale në komunat në veri të Kosovës, për shkak të “pasojave të dhunës së vazhdueshme institucionale”, të cilat “i zbaton regjimi i Albin Kurtit”.

“Para së gjithash, për shkak të mos përmbushjes së kërkesave tona të qarta, të cilat ishin arsye pse u larguam nga institucionet e Kosovës, përkatësisht formimi i Asociacionit të komunave serbe dhe tërheqja e të gjitha forcave speciale nga veriu i Kosovës”, thuhej në njoftim.

“Këtë e them nga përvoja e vitit 2013-2014, kur është vra kandidati për zgjedhje lokale. Por tash do të bëjmë 1-integritetin e pronës dhe të drejtës së votimit dhe të kandidimit duhet të jenë të garantuara”, ka thënë Muja

E në anën tjetër, Dusan Radakoviq, nga ACDC ka kritikuar kosovarët duke thënë që Shoqëria e Kosovës ka një qasje të caktuar edhe sot e kësaj dite, më shumë flasim për Vuçiqin dhe Serbinë sesa që flasim për zgjidhje të problemeve tona.

“Në gjuhën serbe kemi një thënie, e cila besoj haset edhe në gjuhët e tjera: ‘Pastro njëherë oborrin tënd e pastaj fol për tjerat’. Hajde të flasim për problemet tona këtu e mos të përmendim vetëm Vuçiqin e Milan Radoiçiqin, etj. Hajde të flasim për problemet që i kemi, korrupsionin, pagat e ulëta, nepotizmin dhe të tjerat që i kemi”, ka thënë Radakoviq.

Ai ka përmendur edhe shpronësimin e mbi 80 hektarëve tokë në Leposaviq

“Të flasim për të drejtën e gjithsecilit për pronat e veta. Të flasim atëherë për shpronësimin e 83 hektarëve në Leposaviq. Si mund t’u merret njerëzve prona atje dhe në Zubin Potok? Jemi duke bërë kampe ushtarake, kampe “Bondsteel”, nëse flasim për demokracinë. Pse nuk u arrestua ndokush me rëndësi, kur Njësitë Speciale janë aty që nga qershori apo tetori i vitit të kaluar? Kush qenka kaq i rëndësishëm aty që është arrestuar? Ju vetë keni nxjerrë lista me shumë emra… madje z. Muja ka qenë

mysafir tek ju Jeta dhe ka folur për emrat e ndryshëm. Pse Policia nuk arrestoi ndokënd pra? Nëse flasim për demokracinë, atëherë hajde të punojmë”, ka thënë më tej ai

Ganimete Musliu nga PDK-ja, ka thënë se Vetëvendosje duhet të garantoj siguri në veri të vendit.

“Qysh keni me organizu zgjedhje në këto rrethana, ju duhet të garantoni sigurinë sepse ju e keni pushtetin”, ka thënë Musliu

Armend Muja nga LVV, ka thënë se zgjedhjet do të mbahen.

“Ne do të garantojmë që zgjedhjet do të mbahen. Çfarëdo që neve na kërkon KQZ-ja ne do të të tentojmë ti ofrojmë me kapacitetet që i kemi. Po s’mundeni me u nis me premisat se atje janë do banda kriminale, nuk funksionon kështu shteti”, ka thënë më tej Muja.

Aleksandar Arsenijeviq, nga ‘Mbijetesa Serbe’, ka thënë se në aspekt të sigurisë, kishte lajmëruar policinë lidhur me një rast të helmimit të disa qenve endacakë.

Por sipas tij, policët nuk dinin serbisht dhe se nuk kishte mundur që komunikonte me ta

“E si mund të presim që nesër gjatë procesit zgjedhor t’i lajmëroj parregullsi Policisë?

Unë apo dikush tjetër që është në proces… Policët pak më të moshuar nga Mitrovica dinin serbisht. Ata më kërkuan që t’i përcjell ata tek vendi ku kishte ndodhur helmimi i qenve. Ju lutem! Pra, siguria është e domosdoshme mbi të gjitha. Pasi që zgjedhjet të sigurohen dhe procesi të jetë proces zgjedhor normal, dhe ne po përgatitemi thuajse zgjedhjet do të mbahen që nesër, problemi më i vogël për ne është që të regjistrohemi si subjekt zgjedhor”, ka thënë ai