I preu rrugën e dyshohet se e kërcënoi një zyrtar policor, organet e rendit në kërkim të nipit të “Kaçës”

Emri i Besim Zeqirit i njohur si “Kaça” është i njohur për organet e rendit, por kësaj radhe Policia e Kosovës nuk pati problem me të por me një të afërm të tij.

V. Zeqiri, nipi i “Kaçës”, është tashmë duke u kërkuar nga organet e ndjekjes për shkak se i njëjti po dyshohet se kërcënoi një zyrtar policor.

KALLXO.com ka mësuar nga burime brenda policisë, se V. Zeqiri është kërkuar në disa lokacione dhe policia nuk ka arritur që ta gjej ende atë.

I njëjti dyshohet se gjatë ditës së djeshme kishte kërcënuar një zyrtar policor në Mitrovicën e Jugut.

Zyrtari policor për të cilin KALLXO.com mëson se është nga radhët e njësive speciale policore gjatë asaj kohe ishte duke shkuar në bazë gjatë orarit të punës.

I njëjti, siç tregojnë burime të KALLXO.com, fillimisht ishte përballur me të dyshuarit në rrugët “Muhamet Gashi” e “Ismet Deliqi”  në Mitrovicë.

V. Zeqiri dyshohet se kishte tentuar me motoçikletë që t’i pres rrugën ndërsa polici nuk ishte ndaluar.

Ky i fundit e ka raportuar rastin edhe te institucioni ku punon deri sa është iniciuar vepra penale e kanosjes.

Në raportin ditor të Policisë së Kosovës, është përshkruar shkurt rasti.

Në bazë të veprës penale kanosje ndaj personit zyrtar, policia ka thënë se rasti ka ndodhur në Mitrovicë dhe se ankuesi ka informuar se deri sa ishte duke shkuar në punë ishte provokuar disa herë nga i dyshuari.

Rasti është ende nën dyshim dhe personi tashmë po kërkohet nga organet e ndjekjes.

Mitrovicë, kanoset një polic